Deklaratat e akuzat lidhur me rastin e vdekjes së Astrit Deharit në burg në vitin 2016, po vazhdojnë edhe sot. Megjithatë, tash, përveç zbardhjes së rrethanave se si ndërroi jetë Dehari në burgun e Prizrenit, institucionet e drejtësisë do të trajtojnë edhe një tjetër rast që gjithashtu ndërlidhet me vdekjen e Astrit Deharit.
Është një padi të cilën Sylë Hoxha, ish-kryeprokuror i Prizrenit, e ka deponuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës kundër avokatit të familjes Dehari, Tomë Gashi. Në padinë që është dorëzuar me datën 13 shkurt 2023, Hoxha e ka paditur për shpifje avokatin Gashi. Kjo për shkak të disa deklaratave të këtij të fundit nëpër studio televizive.
Në padinë e Hoxhës të cilën e ka siguruar gazeta Nacionale, ish-kryeprokurori i Prizrenit tash avokat, ia kërkon kolegut të tij Tomë Gashit, 20 mijë euro si kompensim i shpifjeve që pretendon se ia ka bërë.
Krejt kjo që ndërlidhet me deklaratat dhe punën e Sylë Hoxhës sa ishte udhëheqës i Prokurorisë në Prizren, lidhur me rastin e Astrit Deharit.
Deklarata e parë për të cilën Hoxha e ka paditur për shpifje Tomë Gashin, është e datës 8 dhjetor 2022 në televizionin ATV. Aty, Tomë Gashi kishte deklaruar se Sylë Hoxha e kishte ditur më herët se kishte ndodhur rasti i vdekjes në burg.
“Në mes tjerash i padituri në emisionin e përmendur ka deklaruar se kinse paditësi në Emisionin “Presing” po atë ditë rreth orës 21:00 ka deklaruar: “Sylë Hoxha ka qenë në Prevallë në një takim me policë të Shqipërisë dhe duke u kthyer rrugës, në ora 02:00 (pasdite) e ka marrë një telefonatë nga drejtori i burgut (Burgut të Prizrenit) se ka ndodhë një rast i vdekjes në burg, që do të thotë se Kryeprokurori e ka ditur më heret se çka do të ndodhë, ndërsa vdekja e tani të ndjerit Astrit Dehari ka ndodhur rreth orës 15:00”, thuhet në padinë e Sylë Hoxhës të siguruar nga Nacionale.
Ky pretendim i avokatit të familjes Dehari, Sylë Hoxha e quan të pavërtetë. Andaj ka vendosur që të kërkojë kompensim lidhur me deklaratat.
“Paditësi duke u kthyer nga Prevalla ku ishte në vikend me familjarë të tij, e asesi në takim zyrtarë me policë të Shqipërisë apo dikë tjetër, ju ka përgjigjur se “pritni se për pak kohë do të vijë në Qendrën e Paraburgimit ku ka kontaktuar me zyrtarët e Qendrës së Paraburgimit, me hetuesit Rajonal të Prizrenit dhe me hetues nga Krimet e Rënda të Policisë së Kosovës në Prishtinë. Në ndërkohë e ka ftuar Prokurorin Kujdestarë i cili ka ardhur në vendë të ngjarjes Prokurorin Metush Biraj i cili përveç shiqimit të vendit të ngjarjes ka qenë i ngarkuar me këtë rast derisa lënda i është kërkuar nga Kryeprokurori i Shtetit që e njejta të dërgohet në kompetencë në Prokurori Speciale të Republikës së Kosovës. Pra paditësi në rastin konkret nuk ka qenë i ngarkuar me rastin, por i ka ndihmuar Prokurorit të rastit dhe ka marrë pjesë sipas urdhërit të Kryeprokurorit të Shtetit në autopsinë e zhvilluar në Institutin e Mjeksisë Ligjore në Prishtinë, ku përveç tjerëve ka qenë prezent edhe i padituri si përfaqësues i familjes së të ndjerit. Provë: Shqimi i shkresave të lëndës të rastit të të ndjerit Astrit Dehari”, thuhet në padinë e SYlë Hoxhës.
Një deklaratë tjetër për të cilën Sylë Hoxha e ka paditur Tomë Gashin, ndërlidhet me çështjen e hetimit. Gashi kishte deklaruar se kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, e kishte marrë këtë lëndë nga Sylë Hoxha. E ky i fundit thotë se asnjëherë nuk ka qenë duke e hetuar rastin, por vetëm e ka ndihmuar prokurorin e rastit Metush Birajn.
Padia e përmend edhe konferencën për media që ishte mbajtur lidhur me rastin Dehari.
“Po ashtu i padituri ka shpifur dhe dezinformuar opinionin publik kur në emisionin e përmendur ka deklaruar se nuk është e vërtetë se ish Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi i ka thënë që të dalë në konferencë për media lidhur me rastin Dehari, duke shtuar se i padituri vet ka qenë prezent me ish Kryeprokurorin i Shtetit dhe me paditësin. Ky konstatim nuk qëndron por vetëm është shpifje imazhit të paditësit, ngase paditësi me qëllim të dëmtimit të integritetit dhe me Kryeprokurorin e Shtetit janë takuar dhe janë marrë vesh që para mediave ta lexoj Njoftimin për Media të lëshuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit. Ndërsa i padituri ka ardhur pas kësaj konference për media i ftuar që në emër të familjes Dehari ta marrë një kopje të Raportit të Autopsisë”, thuhet në padinë e siguruar nga Nacionale.
“Nga gjithë kjo që u tha më sipër rrjedhë se i padituri është përgjegjës për gjithë kjo që u tha më sipër rrjedhës shpifje dhe fyerje ndaj paditësit pasi që duke e ditur se pohimet e tij përmes mediumit publik nuk janë të vërteta dhe fyese ai me qëllim të dëmtimit të reputacionit të paditësit si ish Prokurorë dhe Kryeprokurorë e tani si Avokat, i ka shkaktuar dëm moral dhe dëmtim të reputacionit”, përfundon padia e Sylë Hoxhës.
Ish-kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, kishte qenë një nga figurat që ishte kritikuar më së shumti nga Vetëvendosja, lidhur me rastin Dehari.
Vdekja e Astrit Deharit është rikthyer sërish në qendër të diskutimeve pas zhdukjes së mostrave të tij nga Instituti i Mjekësisë Ligjroe, saktësisht nga Departamenti i Toksikologjisë.