Ministria e Shëndetësisë të premten mbrëma ka marrë vendim mbi shtatë komuna të Kosovës ku gjendja me COVID-19 paraqitet të jetë më e rëndë.
Qytetarët e Prishtinës, Fushë Kosovës, Gjilanit, Obiliqit, Gjakovës, Podujevës dhe Shtimes nuk kanë mundur të kenë hyrje dalje që prej orës 20:00 të 6 nëntorit e nuk do të mund të lëvizin deri në orën 05:00 të 9 nëntorit.
Por, përveç vendimit dhe njoftimit se çdo komunë tjetër që hynte në zonën e kuqe të infeksionit për kokë banori do të karantinohet, nuk është dhënë sqarim tjetër nëse kjo masë do të ishte në fuqi edhe gjatë fundjavave të tjera.
Në të njëjtën ditë janë marrë edhe vendime të tjera nga Qeveria e Kosovës, që do të ishin në fuqi në fundjavë. Nga e premtja deri të hënën në tërë territorin e Kosovës është ndaluar veprimtaria e shumë bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermarketet, subjektet që ofrojnë shërbimet e gastronomisë e të tjera.
Nga Ministria e Shëndetësisë për KOHËN kanë thënë se gjatë javës, Komiteti për Menaxhimin e Pandemisë do të dalë me njoftim të ri dhe do të bëjë vlerësimin e gjendjes epidemiologjike, rrjedhimisht edhe të masave në fuqi.
“Gjatë javës, Komiteti vlerëson efektin e masave të vikendit dhe nevojën se a duhet apo jo që të vendosen edhe për vikendin tjetër”, kanë thënë nga Ministria.
Në masat e përgjithshme ku hyjnë ato për mbylljen e veprimtarive në tërë Kosovës, u lejuan të hapen vetëm furrat e bukës, barnatoret, marketet e vogla, pompat e derivateve, institucionet shëndetësore publike dhe private, shërbimet lidhur me menaxhimin e COVID-19, operatorët ekonomik dhe transporti i mallrave.
Kurse, në masat e veçanta për shtatë komunat në karantinë, u lejua vetëm hyrja dalja e personelit shëndetësor dhe të sigurisë, qytetarëve për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave, operatorëve ekonomik, kompanitë ndërtimore dhe operatorët që kryejnë punë publike.
Discussion about this post