Hapat e ardhshëm në lidhje me Plan-Propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të varen nga themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe atë me pushtete ekzekutive, tha Kryetari i të ashtuquajturit Komisioni Parlamentar për Kosovën, Millovan Drecun.
Ky Asociacion, sipas Drecun, duhet të ketë pushtete ekzekutive, duke e vënë atë në kontrast me 17 modelet evropiane të Asociacionit të cilat po përfliten, dhe të cilat ai i vlerëson si “rrugëdalje për Kurtin” dhe që synojnë “ta zbusin Marrëveshjen e Brukselit”.
Duke folur për vizitat e Përfaqësuesit Special të BE’së, Miroslav Lajçak, zyrtari serb e sheh atë në funksion të harmonizimit të qëndrimeve rreth propozimit të BE’së, veçanërisht ato për Asociacionin.
“Perëndimi nuk është shumë i vendosur të dënojë politikisht Kurtin, por po sheh t’ia gjejë një rrugë dalëse. Kjo rrugëdalje sheh në propozim 17 modele në BE që mund të shërbejnë si shembull”.
“Ata duan ta plogështojnë Marrëveshjen e Brukselit, që janë pushtetet ekzekutive. Kjo do ta bënte Kurtin ta pranojë pikën për vetëqeverisje të serbëve në Kosovë. Kjo nuk është për ne e pranueshme. Asociacioni duhet të ketë pushtete ekzekutive”, ka thënë Millovan Drecun në Tv Pink.