”Mediumi amerikan ‘Bloomberg’ raportoi sot se Kosova është vendi i parë në botë për numrin e të vdekurve nga COVID-19 për 1 milion banorë në periudhën nga 19 deri më 26 gusht. Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka reaguar duke i quajtur “dashakeqe” raportimet e tilla.
“Bloomberg” raportoi dje për gjendjen me Covid-19 në Kosovë. Autorët Jasmina Kuzmanovic dhe Misha Savic raportuan se vendi me kryeministër Avdullah Hotin prin me numrin e viktimave nga koronavirusi. Por të dy ata sipas ministrit Armend Zemaj “nuk janë miq të Kosovës”.
“E pashë që dy emrat e apostrofuar të cilët i ofrojnë këto statistika nuk janë miq të Republikës së Kosovës por sido që të jetë këto janë raporte javore dhe ditore por që mund të keqkuptohen”, tha Zemaj për RTK’në.
Sipas Zemajt Kosova është në vendet e fundit sa i përket numrit të të vdekurve nga Covid-19.
“Nga ajo që ne kemi zyrtarisht, ne kemi 13.100 persona pozitiv që kanë dalë deri më tani me Covid-19 ndërsa aktiv akoma i kemi 3.362. Fatkeqësisht nga ta me vdekje kanë përfunduar 499 persona. Në përqindje jemi diku 3.5 dhe 3.6 në përqindjen totale që i bie se jemi në vendet e fundit për humbjen e jetëve nga koronavirusi dhe nga kjo epidemi globale nëse e shohim si tërësi”, theksoi Zemaj.
I pari i shëndetësisë në vend thotë se situata në vend sa i përket Covid-19 ka shënuar përmirësime.
“Ndërsa kishim një javë të keqe ta quajë, tragjike por përmirësimi është i dukshëm dhe statistikat duhet të merren në tërësi dhe fatkeqësisht ka edhe elemente që keqpërdoren apo mundohen që ta rendisin Kosovën apo ta atakojnë qeverinë e Republikës së Kosovës me Ministrinë e Shëndetësisë në statistika selektive dhe të cilat janë dashakeqe”, shpjegoi ai.
Discussion about this post