Bekim Jashari ka vendosur të rikandidojë sërish për të parin e Skenderajt, pasi t’i përfundojë mandati aktual. Në zgjedhjet lokale të 2017-s, Jashari kandidoi si pavarur dhe mori besimin e qytetarëve, por u mbështet edhe PDK-ja duke mos nxjerrë asnjë kundërkandidat nga kjo parti.
Subjekte politike në Kosovë ka shumë si nga komuniteti shqiptar ashtu edhe nga ato të pakicës.
Por sa ka nevojë elektorati kosovar për një parti nga familja Jashari?
Njohës të politikës, një iniciativë të re politike të paralajmëruar nga Jashari, nuk e shohin si alternativë të re për qytetarët por si një subjekt që lind nga mospajtimet përbrenda këtyre ekzistuese.
Gurakuç Kuçi, njohës i politikës dhe rrethanave aktuale, në një prononcim për Syri.net Kosovën, thotë se do të duheshin reforma në partitë ekzistuese se sa të krijohet një iniciativë e re nga Jashari.
“Në Kosovë subjektet ekzistuese politike janë ngulfatur se për njerëz të rinj dhe alternativa politike të reja. Mirëpo krijimi i subjekteve të reja politike jo çdoherë në Kosovë është bërë për shkak se kanë pasur vërtet një alternativë për t’ua ofruar qytetarëve, por për shkak të mospajtimeve me subjektet ekzistuese. Edhe paralajmërimi i Bekim Jasharit për një subjekt të ri politik është më shumë një frymë që shkon nga mospajtimet me subjektet ekzistuese se sa ofrimi i një alternative të re. Sidoqoftë, ky është një model deri diku i gabuar i qasjes së subjekteve të reja dhe të vjetra politike. Modeli më i mirë është ofrimi i reformave në subjektet ekzistuese dhe presioni fraksionist në subjektet ekzistuese sepse ofrimi i subjekteve të reja nuk është treguar model i suksesshëm në Kosovë dhe e gjitha kjo për shkak se subjektet aktuale kanë votë klienteliste shumë të gjerë”.
Për Kuçin kjo iniciativë e Bekim Jasharit mund të përfundojë në krye të PDK-së tani në mungesë të krerëve të saj që ishin deri më tani.
“Në kohën kur gjendemi tani iniciativa për një subjekt të ri i z. Jashari na ngjall edhe dyshime për kalkulime politike ku ai mund të përfundojë edhe si kryetari i PDK-së, sepse siç shihet gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së do të zgjasë disa vite dhe asnjë kandidat aktual brenda PDK-së nuk ka mundësi ta zëvendësojë z. Veseli apo z. Thaçi. Subjekti i z. Jashari mund të jetë edhe krijimi i mbajtjes së balancave dhe votës joklienteliste por të hidhëruar me PDK-në që mos të shkojë tek subjektet e tjera por të shkojë tek ai. Kemi paralajmërimin për subjekt të ri politik edhe nga znj. Vjosa Osmani dhe kemi një LVV që është bërë shumë e fuqishme dhe një LDK që po e rrit klientelizmin për ta ruajtur votën duke shfrytëzuar pozitat qeveritare. Të gjitha këto janë modele dhe kalkulime politike që kanë nevojë për të ua sqaruar opinionit kohë më shumë për analizë” – përfundon ai
Por politologu Dren Dushi i thotë Syri.net, se një subjekt i ri nga Jashari dhe futjen e tij në politikë e sheh si diçka pozitive e që mund të ndryshonte zhvillimet por edhe përfaqësimin në Kuvend. Për më tepër e krahason me familjen Bush në SHBA.
“Sa i përket aktivizimit të familjes Jashari në politikë, unë e shoh si një zhvillim pozitiv për politikën dhe në përgjithësi shoqërinë e Kosovës. Ka nevojë permanente që Kosova të ngris nivelin e seriozitetit sidomos në institucionin tonë kryesorë, Kuvendin e Kosovës. Mund të marrim shumë shembuj të ngjashëm të aktivizimit të familjeve që kanë peshë dhe respekt në shtete të caktuara, siç është familja Bush në SHBA, por edhe raste të tjera. Familja Jashari që tashmë, jo vetëm për shkak të asaj çfarë ka bërë në luftë, por edhe seriozitetit, kontributit dhe ngritjes së vlerave pas luftës, mund të quhet lirisht një institucion i Kosovës, i cili pse jo edhe të jetë aktivisht në vendimmarrje”.
Dushi mendimin e tij e argumenton me faktin se 50% e elektoratit në Kosovë i bojkotojnë zgjedhjet. Andaj edhe ky subjekt i ri do të ishte i mirëseardhur duke ditur joproduktivitetin e partive aktuale.
“Para se të jap një konstatim lidhur me këtë çështje, do të doja të përmend faktin se rreth 50% e elektoratit të Kosovës bojkoton apo thënë më ndryshe nuk merr pjesë në zgjedhje. Kjo mund të jetë për arsye se ky elektorat nuk është shumë i bindur dhe mbështetës për strukturën aktuale politike të përgjithshme. Mbi këtë bazë, konsideroj se nuk është e dëmshme për elitën tonë politike, që edhe ashtu, siç po e shohim çdo ditë, ka krijuar një Kuvend jo funksional, një Qeveri po ashtu jofunksionale, dhe një pozitë Presidenteje që është vetëm u.d.. Pra nuk mund të themi se elita aktuale politike është shumë produktive, por e kundërta, dhe kjo me shumë arsye që mbase do të mund t’i trajtonim një herë tjetër” – përfundon Dushi.
Familja Jashari gëzon respekt të madh në shoqërinë shqiptare dhe jo vetëm, pasi kontributi i tyre për çlirimin e Kosovës ishte i madh. Shumë herë ishte kërkuar që të jenë pjesë aktive e politikës, por burrat dhe gratë e kësaj familjeje gjithmonë ishin zyrtarisht jashtë çdo partie.
Për më tepër edhe emërimi i tyre nëpër borde të ndërmarrjeve publike, u amnistuan nga kritikat e shoqërisë.
Por a do të kemi kursim tani në politikë mbetet të shihet./Syri.net Kosova
Discussion about this post