Lëvizja Vetëvendosje, sipas deputetit Haki Abazi, mund të fitojë në të 12 komunat ku është në balotazh. Ai thotë se në raundin e dytë, kandidatët e Vetëvendosjes do të dalin në pah me ofertën e tyre, pasi edhe zvogëlohet zhurma dhe lidhja e rrjeteve të interesit. Abazi thekson se koalicioni i vetëm që do të bëjë Lëvizja Vetëvendosje do të jetë me qytetarët, pasi partitë politike ende nuk janë reformuar plotësisht.
Deputeti i mazhorancës në një intervistë për KosovaPress kritikon edhe opozitën për qëndrimin rreth ngritjes së çmimeve, derisa është i vendosur se Kosova s’do të bëjë asnjë kompromis në raport me dialogun me Serbinë.
“Në 12 vendet ku jemi në balotazh kemi jashtëzakonisht potencial të madh që të fitojmë. Tani edhe zvogëlohet zhurma ndërmjet asaj që ka qenë listë e kandidatëve dhe kandidatët e Vetëvendosjes mund të vijnë në pah me planet e tyre, drejtpërdrejtë në komunikim me qytetarët për ofertën në raundin e dytë. Përderisa në raundin e parë ka pasur një diveristet dhe zhurmë shumë më të madhe në kuptimin e fjalëve, rrjeteve të interesit dhe lidhjeve me bizneset, tani është e qartë. Gjithashtu është e lehtë të shihet se kush me kë po bënë marrëveshje, të heshtur apo drejtpërdrejtë. Lëvizja Vetëvendosje njihet të ketë koalicion të drejtpërdrejtë me qytetarin jashtë grupeve të interesit që kanë ekzistuar si rezultat i keqqeverisjes dhe orientimit të fondeve të nivelit komunal të ndërlidhura me nivelin qendror të kaluarën”, thotë ai.
Abazi thotë se partitë e tjera janë fajtore që ende sot flitet për kanalizim dhe ujësjellës, e jo për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Mbi këtë arsye, ai deklaron se në raundin e dytë, Lëvizja Vetëvendosje duhet të ketë prioritet vetëm koalicionin me qytetarët.
Discussion about this post