Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot ka rënë në kundërshtim me qëndrimet e tij. Ka nënshkruar marrëveshjen për të cilën thoshte se ai dhe partia e tij Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), janë refuzuese ndaj saj që nga viti 2016.
Mirëpo sot në zyrën e famshme të Shtëpisë së Bardhë në Uashington, në prezencë të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, Hoti nënshkroi marrëveshjen e “Mini-shengenit”, shkruan Gazeta Insajderi.
Por në nëntor të vitit të kaluar përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Hoti kishte radhitur disa pika pse është kundër “mini-shengenit”.
Atë botë, Hoti thoshte se një marrëveshje e tillë do t’i pamundësonte Kosovës të vendos kontrolle për mallra që e çrregullojnë tregun e Kosovës.
Përveç kësaj, Hoti kishte cilësuar se mini-shengeni e de-faktorizon Kosovën politikisht dhe ekonomikisht në kontekst të marrëdhënieve rajonale.
Por si duket, sot Hoti kishte lënë në harresë qëndrimet e tij. Kryeministri kosovar nënshkroi një dokument 16 pikësh, ku në mesin e këtyre pikave parasheh anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në “zonën e mini-Shengenit”.
“Të dyja palët do t’i bashkohen ‘zonës së mini-Shengenit’, të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, në nëntorin e vitit 2019, dhe do t’i shfrytëzojnë plotësisht përfitimet prej saj”, thuhet në marrëveshjen e nënshkruar në Uashington, në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump. /Insajderi.org
Discussion about this post