Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, është shprehur i bindur se Mbretëria e Spanjës nuk e ka njohur Kosovën si shtet për arsye të besimit fetar të shumicës së popullësisë spanjolle, e që sipas tij është feja ortodokse.
Demaliaj ka deklaruar të martën mbrëma në emisionin Natën në RTK, se pesë shtetet e Bashkimit Evropian, përfshirë Spanjën, nuk e kanë njohur Kosovën për arsye të besimit të tyre ortodoks.
“Në komunitetin e Bashkimit Evropian, pesë shtetet që ende nuk na kanë njohur, të gjitha janë ortodokse”, tha Demaliaj para se të ndërpritej nga moderatori, i cili i tha deputetit se në dijeninë e tij Mbretëria e Spanjës përmban shumicë katolike në aspektin e religjionit”.
Por, Demaliaj u shpreh i bindur. Sipas tij, Spanja ka popullësi shumicë të besimit ortodoks.
“Edhe Spanja është ortodokse… një pjesë e madhe bile. Kryesisht janë ortodoks”, ka këmbëngulur Demaliaj.
Por, faktet e demantojnë plotësisht Demaliajn, deputetin e Kuvendit të Kosovës. Rreth 70 për qind e spanjollëve vetë-identifikohen si katolikë, ndërkaq rreth 25 për qind të tjerë nuk i përkasin asnjë feje.
Sipas një studimi të vitit 2016 nga Qendra për Kërkime Sociologjike në Spanjë, shumica e spanjollëve nuk marrin pjesë rregullisht në aktivitetet fetare. /Insajderi.org
Discussion about this post