Derisa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa po përplasen për postin e presidentit, partneri tjetër në bashkëqeverisje, Nisma Socialdemokrate, konsideron se Kosova e ka presidentin e saj.Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, Endrit Shala ka folur shkurt për Gazeta Blic.“Kosova e ka presidentin e saj”, ka theksuar ai.
Ai më tutje thotë se Kosova nuk është as në fushatë zgjedhore e as në momentin kur duhet ta zgjedhë e se kjo çështje nuk duhet të diskutohet aktualisht.“Kosova ka president, tani nuk jemi në fushatë zgjedhore dhe nuk jemi në momentin kur Kosova duhet ta zgjedhë presidentin e vet. Lidhur me këtë ka kohë deri vitin e ardhshëm dhe kur të jetë koha, partitë dhe liderët politikë duhet ta diskutojnë këtë, aktualisht, Kosova ka president.”, tha Shala.
Ndërkohë, ambicies së Haradinajt për president, sot u është përgjigjur nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri. Ai ka thënë se emri i vetëm për president, është ai i Isa Mustafës.
Haziri deklaroi se LDK nuk ka emër tjetër për këtë post përveç kreut të partisë Isa Mustafa. Po ashtu, Haziri foli edhe për zgjedhjet lokale ku tha se nuk ka ambicie për një tjetër mandat në krye të Gjilanit.Haziri u shpreh se si parti nuk kanë biseduar me askënd në lidhje me postin e presidentit të vendit dhe rrjedhimisht nuk kanë marrëveshje me asnjë subjekt politik.“Ende nuk kemi marrëveshje për president, unë po përsëris vazhdimisht që LDK-ja e ka ofruar rolin e vet konstruktiv për t’i dhënë vendit stabilitet. Ne jemi për një president konsensual, sa më konsensual në Kuvendin e Republikës, përtej saj nëse ka mundësi në mënyrë që t’i jepet vendit stabilitet.
LDK nuk ka biseduar me askënd për çështjen e ndarjes së rolit të presidentit. Nëse LDK-së i bie në mandat, ose LDK-ja duhet ta udhëheqë, ne besoj që do të japim kontributin tonë dhe nuk kemi emër tjetër përpos Isa Mustafës. LDK-ja pajtohet parimisht me çdo emër i cili afron të gjitha palët, të gjitha partitë në Kuvend të Republikës për të zgjedhur një president sa më konsesual të mundshëm”, ka thënë Haziri.Përpos zgjedhjes se presidentit, vendi do të shkojë edhe në zgjedhje lokal vitin e ardhshëm dhe shumë parti dhe kandidatë tashmë i kanë zyrtarizuar kandidaturat e tyre.
Discussion about this post