Ish-kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka folur rreth planit evropian që u diskutua të hënën në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Mustafa u ndal tek pika e 7-të e këtij plani. Ai tha se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet të tregojë se çka përmban kjo pikë.
“Marrëveshja bazë e pranuar nga Kryeministri Kurti në pikën 7 parasheh një formë të vet-menaxhimit për serbet në Kosovë, sipas përvojave evropiane. Le të tregojë Presidentja Osmani, që vet-shitet si juriste e fortë se a është kjo në harmoni me Kushtetutën; a parasheh Kushtetuta e Kosovës të drejta asimetrike për komunitetet, që serbet të kenë të drejta kolektive të vet-menaxhimit, kurse komunitetet e tjera jo? Menaxhimi përfshin planifikimin, organizimin, personelin, drejtimin (udhëheqjen) dhe kontrollin. Pra kompetenca ekzekutive. Këto i pranoi kryeministri ynë. Asociacioni është diçka tjetër”, tha Mustafa.