Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, në një konferencë për media ka bërë të ditur se janë duke shqyrtuar si mundësi rihapjen e shkollave në muajin qershor.
Para mediave Vitia, sqaroi se për rihapjen e shkollave do të vendosi në bazë të situatës epidemiologjike, duke shtuar se mësimi në shkolla do të rifillojë vetëm për disa klasë, ato të nënta dhe të dymbëdhjeta.
“Jo të gjitha klasë por një pjesë e klasave ato të 9 dhe të 12 do të hapim, si dhe çerdhet, por duke u bazuar në situatën epidemiologjike nga fillimi i muajit qershor”, tha ai.
Edhe në Austri, shtet ky me të cilin Kosova ka model të përafërt masash kundër Covid-19 tashmë ka nisur rihapjen e shkollave, për klasët e nënta dhe ato të dymbëdhjeta, por me numer me të vogël të nxënësve, duke e bërë ndarjen e tyre në grupe, duke ruajtur kështu distancën fizike.
Po ashtu Vitia, ka thënë se duke nisur nga dita e enjte qytetarët mund të lëvizin pa kufizim nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 21:00 të mbrëmjes.
“Nga data 28 maj orari i lëvizjes së qytetarëve do të ndryshojë, do të largohen masat që i kemi pasur deri më tani, nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 21:00 të mbrëmjes qytetarët do të lëvizin pa kufizime. Deri në fund të këtij muaji do të mbyllet edhe karantina”, ka thënë Vitia.
Discussion about this post