Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një konferencë për medie deklaroi se nga sot do të nisin një “ballafaqim me të vërtetën”, për shumë tema, të cilat sipas tij, janë përfolur e abuzuar politikisht gjatë 20 viteve të fundit.
Veseli tha se këto iniciativa do t’i drejtojnë në Kuvend.
“Kërkesa e parë që do të dorëzojmë në Kuvend është procesi i privatizimit në Kosovë. Do të ketë edhe propozime për ndryshime të ligjeve aktuale”, theksoi ai.
Sipas tij, në këto “ndryshime” nuk përjashtohet as PDK-ja, ndërsa shtoi se “sot nis një epokë e re në Kosovë”, shkruan “Zeri.info”.
“Sqarojmë së ky proces nuk është kundër bizneseve private, por për abuzuesit që kanë përfituar paligjshëm. Do t’iu konfiskojmë edhe pasuritë e tyre të fituara jo me djersë dhe në mënyrë të pandershme. Në ditët në vazhdim do të iniciojmë edhe tema të tjera”, tha kryetari i PDK-së.
Sipas Veselit, arsyeja pse nuk kanë ndërmarrë hapa të tillë më herët është për shkak se kanë pritur të jenë opozitë.
“Si PDK kemi pritur të jemi në opozitë t’i ndërmarrim këto iniciativa, sepse do të mund të mendohej nga dikush se këta hapa do të kontrolloheshin nga dikush në pushtet”, tha ai.
Sipas tij, shpeshherë njerëzit më të përfolur në këto procese janë ata që kanë bërë më së shumti zhurmë.
I pyetur për qëndrimin e PDK-së në lidhje me dialogun me Serbinë, ai tha se partia e tij nuk është për luftë deri në momentin kur Serbia nuk cenon asnjë centimetër të Kosovës.
Discussion about this post