Në një konferencë për media, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka paraqitur kërkesat fillestare të bizneseve për rimëkëmbje.
Ai ka thënë se e kanë përcjell me vëmendje se cilat janë kërkesat e bizneseve pas lehtësimit të masave. Sipas tij në kohën e pandemisë 60 për qind e bizneseve gjatë kësaj kohe kanë deklaruar se ndihen të rrezikuara nëse nuk merren masa adekuate të përkrahjes.
Rukiqi ka pasur kritika për moszbatim të pakos emergjente, duke thënë se deri më tani asnjë prej masave të saj nuk është zbatuar në tërësi.
“Asnjë nga masat që e prekin sektorin privat, as subvencionimi i pagës, as qiratë, as likuiditeti për mikrokompanitë, as pjesa që lidhet me eksportin nuk janë zbatuar plotësisht. Kjo pako është zbatuar minimalisht dhe kjo paraqet vështirësi për bizneset”, ka theksuar Rukiqi.
Sipas tij tani e tutje me rendësi është që të implementohet në tërësi masa për subvencionim të pagës. Rukiqi ka thënë se masa për subvencionim të pagës duhet të bëhet së paku deri më 31 gusht të këtij vitit. Madje sipas tij për disa sektor kjo masë duhet të vazhdojë të implementohet deri në fund të vitit.
Gjithashtu Rukiqi ka thënë se deri në fund të majit duhet të bëhet implementimi i plotë i masës për qiratë për muajt prill dhe maj, dhe që kjo masë të vazhdojë të aplikohet deri në gusht e për disa sektorë deri në fund të vitit. Rukiqi ka kërkuar masë të re për likuiditet për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme e cila sipas tij, duhet të implementohet 50 për qind në formë të garancive kreditore dhe 50 për qind në formë të granteve.
“Garancitë kreditore mund të implementohen përmes Fondit për Garanci Kreditore, me kushtin që të njëjtat të përdoren për kredidhënie të shpejtë, me normë të ulët të interes dhe periudhë të pritjes të fillimit të pagesës të kredisë, së paku deri 1 vit. Vlera e kësaj mase duhet të jetë së paku 50 milionë euro”, është shprehur Rukiqi.
Discussion about this post