Më 4 shtator, Qeveria e Kosovës në krye me Avdullah Hotin, nënshkroi një dokument në Washington, në prani të presidentit amerikan, Donald Trump, që ka për qëllim normalizimin ekonomik mes vendit tonë dhe Serbisë.
Por, ish-ministri i Punëve të Jashtme nga radhët e LVV-së, Glauk Konjufca theksoi se kjo marrëveshje i solli resurse vetëm Serbisë por jo edhe Kosovës. Ai thotë se Ujmani nuk duhej të ishte pjesë e këtyre negociatave pasi që sipas tij Serbia dëshiron që ta heq kufirin me Kosovën por pa e njohur atë si shtet.
“Për herë të parë një kryeministër kaq i papërgjegjshëm si Hoti u pajtua që Ujmani të jetë pjesë e negociatave me Serbinë edhe që ai të del në tryezën e dialogut. Vetëm një ëndërr që e ka qe sa vite Serbia që nga pavarësia e Kosovës është që të hiqet kufiri pa njohje nga Serbia, kjo është ëndrra e Serbisë për një dominim ekonomik tregtar për Kosovën”, tha ai, raporton “Zëri”.
Konjufca potencon se Serbia përmes kësaj marrëveshjë është munduar që të marrë resurse nga Kosova.
“Ujmani e përbën 70 përqind të ujit tonë që e posedon shteti i Kosovës dhe për herë të parë një kryeministër si Hoti u pajtua që Ujmani të jetë pjesë e negociatave me Serbinë dhe që ai të dalë në tryezën e dialogut. Ai që mendon se mund t’i japë resurse Serbisë ai e bën një krim të madh dhe kjo ndodhi tashmë”, tha Konjufca.
Konjufca rithekson se një marrëveshje të tillë nuk do ta respektojë LVV-ja nëse vjen sërish në pushtet.
“Kjo marrëveshje është e dëmshme për Kosovën. Këtyre marrëveshjeve qeverisja e ardhme nuk ka dhe nuk ndjen asnjë obligim që t’u qëndrojë prapa, e as kompromiseve të këqija nga kryeministri jolegjitim Avdullah Hoti”, përfundon ai.
Reagim pati edhe nga anëtarja e kryesisë së kësaj partie, Albulena Haxhiu, e cila tha se Qeveria shkoi në Shtëpinë e Bardhë për të siguruar njohje nga Serbia dhe u pajtua me heqjen e termit “Republikë” nga marrëveshja.
“Ata shkuan kinse për njohje nga Serbia dhe u pajtuan që ta heqin termin “Republikë”. Kjo marrëveshje është në kundërshtim me nenin 4 të Kushtetutës në të cilën është përcaktuar qartë edhe forma e qeverisjes”, theksoi ajo, raporton Zeri.info.
Sipas Haxhiut, Ujmani juridikisht nuk mund të kontrollohet nga një shtet tjetër.
“Termi ndarje që është përdorur në këtë marrëveshje ka kuptimin e marrjes së Serbisë në pronësi kontrollin dhe menaxhimin e një pjese të këtij liqeni i cili ndodhet 80 përqind në territorin e Kosovës. Nuk mund të përvetësohen juridikisht të kontrollohen ose menaxhohen nga një shtet tjetër duke e ditur se këto resurse gjenden dhe janë në interes për Republikën e Kosovës”, deklaroi Haxhiu. /Zëri
Discussion about this post