Ende nuk ka vendim për hapje të kufijve të vendit. Këtë e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia në konferencën për shtyp të hënën.
Ai ka lënë të kuptohet se kufijtë mund të hapen shpejtë, njëjtë si kafiteritë dhe bizneset tjera gastronomike.
Vitia ka treguar se trendi pozitiv po vazhdon dhe se 93 testimet e para të bëra të hënën nuk kanë dhënë asnjë rast pozitiv. Të dielën për herë të parë nuk ka pasur asnjë rast pozitiv për COVID-19.
Të tjera teste do të kryhen deri në mbrëmje.
“Sa i përket hapjes së kafiterive varet nga situata epidemiologjike në terren. Para një jave kemi thënë se më 25 maj do të prezantohet analiza e re epidemiologjike. Në bazë të kësaj analize ne kemi filluar me këto masa. Kurse nga 1 qershori fillon faza e tretë. Nuk do të ketë vonesa në hapjen e veprimtarive tjera, duke përfshirë edhe kafiteritë dhe gastronominë në përgjithësi”, ka thënë Vitia.
“Sa i takon hapjes së kufijve, po mendojmë që në fund të kësaj faze ose fillim të fazës tjetër. Kemi diskutuar, por nuk kemi marrë vendim akoma, prapë në analizë të situatës epidemiologjike. Hapja e kufijve s’varet vetëm nga ne, por edhe nga shtetet tjera, qoftë të rajonit apo më gjerë. Natyrisht disa ditë para, kur të marrim këtë vendim do të lajmërohen qytetarët”.
Sipas ministrit Vitia, nëse vazhdon trendi i dy ditëve të fundit sa i takon rasteve, do të bisedohet që disa aktivitete të fillojnë edhe para 1 qershorit.
Me shumë interes po priten vendimet edhe për hapje të shkollave. Një pjesë e nxënësve në shkolla do të kthehen gjatë qershorit.
“Në qershor, jo të gjitha klasat, por klasat e nënta dhe dymbëdhjeta, por edhe çerdhet jemi në diskutim, po besojmë dhe shpresojmë që situata epidemiologjike do të jetë kështu e mirë, për të marrë vendimin e tillë”, ka thënë Vitia.
Discussion about this post