Një ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që erdhi në përfundim se dekreti i presidentit për nominimin e Avdullah Hotit për kryeministër është i drejtë, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK-ja), Arban Abrashi, ka thënë se kanë qenë të bindur se do të nxirret ky aktvendim.
“E themi po atë qëndrim që e kemi thënë edhe kohë më parë, se LDK-ja do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, jo vetëm këtë, por edhe vendimet e mëhershme, sepse Gjykata Kushtetuese duhet të respektohet. Mbi të gjitha, është edhe obligim ligjor dhe kushtetues që të gjitha organet publike, duke përfshirë edhe Kuvendin dhe Qeverinë, ta respektojnë dhe të bashkëpunojnë me Gjykatën Kushtetuese.
Gjithsesi që kemi dërguar komentet tona dhe kemi qenë të bindur në këtë lloj aktgjykimi, sepse po flasim për një demokraci parlamentare, ku thelbi është shumica në Kuvend.
E mirëpresim këtë aktvendim dhe ftojmë të gjitha subjektet politike sikur tani, por edhe në të ardhmen për çfarëdo çështje që ngrehet në Gjykatë Kushtetuese, t’i respektojnë ato vendime”, ka thënë Abrashi, i cili, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka komentuar të gjitha cilësimet që Lëvizja Vetëvendosje ka bërë karshi LDK-së dhe partive të tjera ku, mes tjerash, thotë se janë bërë “marioneta të presidentit Hashim Thaçi”, derisa për Gjykatën Kushtetuese thotë se “u rreshtua me kapësit e shtetit”.
“Kjo aspak nuk është e vërtetë. Ndiej keqardhje për këtë gjuhë dhe narracion që po e shtyn përpara Lëvizja Vetëvendosje, e që më shumë duket si indoktrinim sesa politikë normale. Po flasim për demokraci parlamentare, ku gjithçka sillet rreth Kuvendit që zgjedh organet e tjera, si presidentin dhe qeverinë.
Qasja e tillë nuk i bën mirë demokracisë në Kosovë. Kjo qasje nuk fillon vetëm sot, që nga qeverisja e Albin Kurtit kemi parë se kanë shkelur mbi Kushtetutën dhe vendimet e saj dhe janë sjellë sikur asgjë nuk po ndodh dhe, si duket, kjo është mënyrë e politikbërjes së tyre.
Albin Kurti nuk po e gjen veten në këtë sistem politik, nuk po mund të funksionojë në kuadër të kësaj Kushtetute dhe po del jashtë rendit kushtetues. Kjo është keqe edhe për vetë Lëvizjen Vetëvendosje dhe për qytetarët e Kosovës sepse po i indoktrinon me shumë të pavërteta.
Diskursi i përgjithshëm që po përdorin si fjalitë ‘të gjithë janë rreshtuar nën presidentin’, ‘garda e vjetër në LDK’, ‘parti e stërvjetruar’ tregon se nuk e kanë sensin themelor për politikbërje dhe atë elementar të bashkëpunimit. Kushtetuta në Kosovë imponon kompromis dhe mirëkuptim mes subjekteve politike, prandaj nëse një kryetar partie thotë vazhdimisht se dikush është i vjetër, i keq, kjo është e papranueshme dhe përbën një përjashtim prej këtij sensi politik”, ka shprehur mendimin Abrashi.
I pyetur se si qeveria mund të krijohet nga të gjitha subjektet e tjera politike, pa përfshirjen e subjektit fitues që në këtë rast është Lëvizja Vetëvendosje, Abrashi është përgjigjur: “Albin Kurti dhe të gjithë simpatizantët e tij duhet ta dinë se LDK-ja e ka bërë Albin Kurtin kryeministër. Ka qenë marrëveshja mes Vetëvendosjes dhe LDK-që e ka prodhuar Albin Kurtin kryeministër, sepse nuk ka pasur 61 deputetë të Vetëvendosjes për ta formuar qeverinë.
LDK-ja ka bërë edhe kryeministra të tjerë, duke përfshirë edhe Ramush Haradinajn. Ne i kemi dhënë shansin Albin Kurtit që ta tregojë veten, por nuk është problem i LDK-së pse ai s’ka ditur ta menaxhojë koalicionin ashtu siç i ka hije një kryeministri”.
Abrashi ka treguar edhe kohën kur do të mbahet seanca për votimin e qeverisë Hoti. “Ne kemi qenë të gatshëm ta formojmë qeverinë javë më parë, para vendosjes së masës së përkohshme. Kur kemi dorëzuar kërkesën për mandatar ne i kemi pasur nënshkrimet me shumicën e nevojshme parlamentare. Ne e kemi po atë shumicë, në mos më shumë, dhe synojmë që sa më shpejt ta formojmë qeverinë, sepse nga gushti i vitit të kaluar Kosova nuk ka qeveri stabile dhe kjo po shkakton dëme të mëdha ekonomike. Mezi po presim ditën për formim të qeverisë. Ka të bëjë me procedurat e brendshme ndërinstitucionale. Presim tërë materialin dhe aktgjykimin nga Gjykata Kushtetuese që t’i dorëzohet palëve. Porsa ta marrim aktvendimin, ne e dorëzojmë kërkesën për seancë. Shpresoj që gjatë vikendit të ndodhë dorëzimi i materialit”, ka bërë me dije Abrashi.
Discussion about this post