Është e rëndësishme që tashmë ekziston një rol shumë më aktiv i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por Kosova ka pritur më shumë nga takimi i zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë, thotë në një intervistë me Radion Evropa e Lirë, Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës.
Ajo shpreh mendimin që delegacioni i Kosovës në Uashington ka dështuar në pjesët e marrëveshjes që kanë të bëjnë me emrin kushtetues të vendit, me njohjen ndërsjellë me Serbinë, si dhe te çështja e mini-Schengenit. Por, sipas saj, brenga kryesore sot është ajo se çfarë është duke ndodhur me dialogun në Bruksel, për shkak se kryeministri i Kosovës “ka pranuar që të rihapet tema e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.Osmani ka theksuar se më 21 qershor është përjashtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe se tashmë është, duke shqyrtuar idenë e një iniciativë të re politike, si një “angazhim të përkohshëm”.
Sipas saj, ideja e kësaj nisme është angazhimi për “çkapjen e shtetit, demokratizimin e vendit dhe hapjen e rrugës për profesionistët e vërtetë dhe njerëzit me integritet”.
Zonja Osmani, pas delegacionit të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, ju keni shprehur pakënaqësi me arritjet e Kosovës atje. Megjithatë, në Shtëpinë e Bardhë, dita kur është arritur marrëveshja për normalizimin ekonomik, është vlerësuar historike. A keni pritur më shumë?Vjosa Osmani: Mendoj se është tejet me rëndësi për çdokënd në Kosovë, por edhe jashtë Kosovës që ta bëjë dallimin e qartë këtu, ndërmjet vlerësimit të rolit të Shteteve të Bashkuara në njërën anë dhe vlerësimit të rolit të delegacionit të Kosovës në anën tjetër.Natyrisht që Kosova ka pritur më shumë, për shkak se vetë Qeveria e Kosovës i ka ngritur pritshmëritë.
Në rast se shihni secilin raportim të kryeministrit aktual në Kuvendin e Kosovës, do ta shihni që në çdo moment, ai ka garantuar se do të nënshkruajë vetëm marrëveshje për njohje reciproke, ka garantuar se nuk do të preket Kushtetuta e vendit, ka garantuar se nuk do të pranojë mini-Shengen, ka garantuar se nuk do të heqë dorë nga emërimi kushtetues i Republikës së Kosovës, ka garantuar se nuk do të heqë dorë nga e drejta e Kosovës që të ketë njohje dhe anëtarësime në organizata, siç parashihen në Deklaratën e Pavarësisë, por edhe në Kushtetutën e Kosovës. Kurse, në fund ka qenë delegacioni i Kosovës ai që ka nënshkruar, për shkak të, natyrisht edhe kërkesave të Serbisë, ku nuk figuron Republika e Kosovës, nuk figuron njohja reciproke.
Unë mendoj se këtu ka humbur delegacioni i Kosovës një mundësi të madhe, sepse në qoftë se është një vend ku Kosova ka pasur mundësi t’i shtyjë interesat e saj, por edhe të rajonit, pastaj si rrjedhojë, përpara, ka qenë pikërisht SHBA-ja, sepse kjo është dëshmuar historikisht.Pra, përderisa kritika ime e shëndoshë dhe e domosdoshme në një demokraci, ka të bëjë me mungesën e përvojës së delegacionit tonë dhe rrjedhimisht dështimin e tyre që t’i realizojë ato që i ka premtuar, në asnjë mënyrë kjo nuk ka të bëjë me rolin e SHBA-së.Përkundrazi, SHBA-ja ka ofruar një dokument ku palëve u janë referuar si Republikë e Kosovës dhe Republikë e Serbisë.
Rrjedhimisht, ka treguar edhe një herë që pritshmëritë e saj janë që të dyja shtetet ta njohin njëra-tjetrën.E dyta, Shtetet e Bashkuara nuk kanë shtyrë përpara çështje që kanë të bëjnë me kufijtë, apo me Asociacionin. Këto, mendoj, se duhet ta bëjnë dallimin e qartë. Vetëm pse delegacioni ynë nuk ka arritur ta bëjë maksimumin, ne në asnjë mënyrë nuk do të duhej që kjo kritikë ndaj delegacionit të Kosovës – që në fakt mund ta ndihmojë atë për të ardhmen që të veprojë më mirë – të konsiderohet si kritikë ndaj SHBA-së, e cila, po e them gjithnjë atë që e kam thënë në dy dekada që jam në politikë, ka rol të pazëvendësueshëm dhe ka rol ekzistencial për shtetësinë tonë dhe për suksesin e këtij shteti sa i përket fuqizimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtar.Zonja Osmani a mendoni që kjo marrëveshje e ka prekur Kushtetutën?Vjosa Osmani: Aty ka çështje që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me Kushtetutën.
Neni 17 i Kushtetutës së Kosovës obligon institucionet tona, njëjtë sikur Neni 8 dhe 9 i Deklaratës së Pavarësisë, që të anëtarësohen në organizata ndërkombëtare. Delegacioni i Kosovës, përmes këtyre zotimeve të njëanshme, thotë që për një vit do ta pauzojë këtë pjesë të Kushtetutës dhe të Deklaratës së Pavarësisë, që është e pashembullt.Për këtë çështje, po e them këtu për herë të parë, pajtimi i palës kosovare është dhënë qysh në shkurt. Jam njoftuar si kryetare e Kuvendit nga SHBA-ja, që zyrtarë të caktuar të Kosovës – jo kryeministri i atëherëshëm, por të tjerë – kanë dhënë pajtimin që Kosova të heqë dorë për një periudhë të caktuar nga e drejta e saj për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, që pastaj domosdoshmërisht e prek edhe çështjen e njohjeve, sepse janë të lidhura.Agjenda jonë dypalëshe dhe ajo shumëpalëshe ndikojnë natyrisht njëra-tjetrën. Kjo është dëshmuar që nga viti 2008 e këndej. Pra, këto janë çështje që natyrisht kanë të bëjnë me Kushtetutën.E dyta, delegacioni i Kosovës ka pranuar që t’i referohet vetëm si Kosovo (Prishtina), përderisa SHBA-ja ka ofruar dokument ku quhet Republikë e Kosovës. Tani, koncesioni është bërë për shkak se ka kërkuar Serbia, por çfarë është dashur të bëjë delegacioni ynë është krejt e kundërta, pra të kërkojë që kjo të jetë një ndër pikat kyçe që mbetet në marrëveshje.
Mendoj që këto janë disa prej çështjeve, pastaj janë çështje tjera siç është mini-Shengeni, që sa po e shoh unë nga deklaratat e zyrtarëve që e kanë nënshkruar marrëveshjen dhe të tjerët që qëndrojnë mbrapa saj, është që ata akoma as nuk e dinë se si do të zbatohet kjo çështja e mini-Shengenit dhe është për të ardhur keq që pranojnë diçka që nuk e dinë se çfarë përmban.Mendoj se ne duhet të flasim edhe për sukseset, dhe këtu sukses, siç e thashë, është fakti që SHBA-ja, për dallim prej një politikë që ka ekzistuar sidomos rreth vitit 2018, tani në mënyrë të qartë nuk lejon që të diskutohet çështja e kufijve.
Në anën tjetër, as nuk kërkojnë që të diskutohet çështja e Asociacionit, dhe kjo është tejet me rëndësi si politikë e Shteteve të Bashkuara në raport me Kosovën, që ka disa muaj, së paku prej që jam zgjedhur unë kryetare e Kuvendit dhe në çdo fjalim në Kuvend, e kam potencuar që ne duhet t’i besojmë SHBA-së sa i përket kufijve tanë.Ata te të cilët kemi pasur dyshim janë dy presidentët (Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq), të cilët e patën hapur temën e korrigjimit të kufijve apo edhe shkëmbimit, siç e quanin kohë pas kohe.Mendoj që është sukses dhe tejet me rëndësi që kemi një rol shumë më aktiv të Shteteve të Bashkuara.
Edhe pjesa ekonomike është pjesë me rëndësi, e cila është e mirëpritur për tërë rajonin tonë, por, aty ku delegacioni ynë ka dështuar janë pikërisht pjesët, e thashë, që kanë të bëjnë me emrin kushtetues të vendit, me njohjen reciproke dhe të mini-Shengeni.Brenga themelore sot, mendoj unë, nuk do të duhet të jetë çfarë ka ndodhur në Uashington. Brenga jonë themelore sot është se çfarë është duke ndodhur në Bruksel, sepse informatat që na vijnë çdo ditë nga zyrtarë të Brukselit është që kemi shumë arsye për t’u brengosur.Për fat të keq, kryeministri aktual është i vetmi zyrtar publik i Kosovës, që ka pranuar deri më sot që të rihapet tema e Asociacionit të komunave (me shumicë) serbe. E dyta, është i vetmi zyrtar publik deri sot që e kundërshton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin të vitit 2015 dhe kishte deklaruar publikisht dje (10 shtator) në Parlamentin Evropian se do ta zbatojë plotësisht Marrëveshjen për Asociacionin të vitit 2015.
Kjo marrëveshje në tërësi ka rënë poshtë nga Gjykata Kushtetuese, është hedhur poshtë, dhe diku prej titullit e deri te pika e fundit – gati secila pjesë e saj është konsideruar në kundërshtim me Kushtetutën. Tani kryeministri aktual del dhe thotë se ne duhet ta zbatojmë një dokument që është nënshkruar në Bruksel, e që është, sipas vendimit të Gjykatës, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën tonë.Unë mendoj që ky është sfidimi më i madh sistemit tonë kushtetues që i bëhet nga një kryeministër përgjatë këtyre viteve të fundit, sepse çdo kryeministër nga viti 2015 e tutje, ka thënë se ne do ta respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, rrjedhimisht nuk mund të zbatohet marrëveshja e vitit 2015.
Duhet të zgjedhësh në mes të Kushtetutës tënde dhe Marrëveshjes së vitit 2015, ose dokumentit, sepse gjykata e ka konsideruar dokument të ndërmjetmë dhe jo marrëveshje.Tani kemi një kryeministër që thotë se do ta zbatojë atë në tërësi, dhe pse e di që sipas vetë gjykatës sonë, është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën. Krijon kompetenca ekzekutive për atë Asociacion, që është një lloj hapi, drejt një autonomie territoriale me kompetenca ekzekutive për serbët në veri dhe, i cili është një lloj preludi, një lloj hapi paraprak për ndarje, sepse ne e dimë çfarë po ndodh sot në Republikën Srpska.Pra, pak a shumë, është modeli i njëjtë që synohet nga ana e Serbisë, të ndërtohet edhe në veri të vendit.
Prandaj, tani me aq lehtësi të thuhet se po, do ta zbatojmë, dhe madje do ta vendosim si pjesë të marrëveshjes finale, që do të arrihet në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, unë mendoj që është një prej dështimeve më të mëdha, në mos më i madhi në komplet negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë, që kanë ndodhur nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian nga viti 2011 e këndej.A do të thotë kjo që po krijohen parakushtet për marrëveshje të reja në Bruksel?Vjosa Osmani: Po, pikërisht, kjo është duke ndodhur, sepse ne çfarë po dëgjojmë, pasi informata konkrete me shkrim akoma nuk kemi rreth asaj se çfarë po ndodh në Bruksel, mirëpo nga deklaratat që po jepen, thuhet se është rihapur çështja e Asociacionit, çështje që ka qenë e mbyllur me vendimin e Gjykatës sonë Kushtetuese.
Gjithashtu, është rihapur çështja e pronave, çështja e cila ka qenë e mbyllur për Republikën e Kosovës që nga 17 Shkurti i vitit 2008, dhe po rihapen çështje të të drejtave të pakicave, çështje që ne i kemi mbyllur me Pakon e Ahtisarit dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo, sepse ju e dini, me të gjitha ato koncesione që janë bërë në Pakon e Ahtisarit, Kosova pati ardhur buzë defunksionalitetit të plotë. Tani nëse bëhen edhe hapa tutje në praktikë, do të nënkuptojë një Republikë Srpska të re në veri, dhe do ta defunksionalizojë shtetin tonë, do të krijojë kriza të njëpasnjëshme dhe kjo në fakt nuk është e mirë as për ne, as për rajonin, sepse rajoni do të vazhdojë të jetë në krizë, siç po prodhon krizë Republika Srpska, që është pjesë e Bosnjës, dhe do t’iu duhet edhe Bashkimit Evropian edhe Shteteve të Bashkuara të kontribojnë në stabilitet.
Ka ardhur koha që kapitullin me Serbinë ta përmbyllim përmes njohjes reciproke, por nuk është njohja reciproke. Pikë. Është njohja reciproke, në kufijtë aktualë, pa prekur Kushtetutën e Kosovës, pa prekur rregullimin tonë shtetëror të brendshëm dhe duke mbajtur Kosovën shtet funksional me sovranitet të plotë. Atëherë ka kuptim njohja reciproke, dhe jo që duke u thirrur në njohje reciproke, të bëhet dëm i pariparueshëm brenda Republikës së Kosovës.Për këto gjëra, delegacioni i Kosovës duhet të jetë tejet i kujdesshëm. Për mua është befasuese se si spektri politik sot po e merr me aq qetësi deklaratën e djeshme të kryeministrit se do ta zbatojë Asociacionin e vitit 2015, përkundër faktit që Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar.Ju e dini që ka pasur edhe protesta të dhunshme në Republikën e Kosovës, ka pasur krizë të madhe politike dhe të sigurisë për gati dy vjet me radhë shkaku i asaj marrëveshjeje. Gjykata Kushtetuese në fund e rrëzoi dhe tani kemi një qeveri që dëshiron ta shtyjë përpara, edhe pse e di që ai model që i jep kompetenca ekzekutive një trupi që në fund do të mund të ndahet, është tepër i rrezikshë për shtetin tonë, dhe aq më tepër është në kundërshtim me Kushtetutën.
Pra, të thuhet me aq lehtësi që, po, jam duke rinegociauar një temë që është në kundërshtim me Kushtetutën dhe më pas të vish para Kuvendit të Kosovës dhe pa fije turpi të thuash unë nuk flas kurrë për Kushtetutën, është vërtet diçka që do të duhej të ishte e papranueshme për secilin që mendon për këtë Republikë, për secilin që mendon se si do të mbijetojë shteti ynë edhe në vjetët e ardhshëm.E përmendët njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, a mendoni se janë reale këto pritje në fazën, në të cilën janë raportet tanishme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?Vjosa Osmani: Raportet e tanishme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë si janë për faj të Serbisë dhe asnjëherë për faj të Kosovës. Unë mendoj që një gabim, që institucionet tona kanë bërë përgjatë këtyre viteve, është që vazhdimisht kemi gëlltitur dhe nuk është thënë e vërteta e krimeve të Serbisë në atë tavolinë.
Tani, ky procesi i ashtuquajtur për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më shumë ka shërbyer për normalizimin e (presidentit të Serbisë, Aleksandar) Vuçiqit si politikan, nga një ish-ministër i propagandës së Millosheviqit, në një person që tani konsiderohet si pro-evropian, i hapur dhe të tjera.Pra, e ka normalizuar Vuçiqin para syve të botës, por në asnjë moment nuk i ka normalizuar raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse Serbia nuk dëshiron raporte normale. Serbia jeton duke shkaktuar kriza. Shikojeni historinë e saj. Edhe tash, historinë e afërt. Do të thotë, shkakton kriza me Kroacinë, shkakton probleme edhe me Bosnjën, shkakton probleme edhe me Maqedoninë e (e Veriut).
Për sa i përket raportit të kishave, shkakton probleme edhe me shtete përtej. Shkakton probleme me pakicat, shkakton probleme me gazetarët, i shkelin të drejtat e njeriut në mënyrë aq eklatante dhe prapë shpëtojnë. Pse? Duke thënë “ne po bëjnë kompromise”, thjeshtë, duke u ulur në tavolinë. Serbia nuk është duke bërë asnjë kompromis duke u ulur në tavolinë. Merreni dhe shikojeni listën e koncesioneve që e ka bërë Republika e Kosovës nga 2007 e tutje dhe shikojeni pastaj listën e koncesioneve që ka bërë Serbia. Ju siguroj që lista e koncesioneve të Kosovës do t’ju marrë ditë të tëra që ta lexoni. Kurse, listën e Serbisë do ta lexoni për dy sekonda, sepse janë të vogla dhe për më shumë, nuk i ka zbatuar as ato pak që i ka bërë. Pra, Serbia nuk është duke bërë fare, asnjë kompromis.Kosova bën kompromis me vetë faktin që ulet përballë një agresori, i cili ka kryer gjenocid në Kosovë, kurrë nuk ka kërkuar falje dhe akoma i fsheh trupat e më të dashurve tanë. Akoma fsheh trupa të fëmijëve të vrarë, të familjeve të tëra në Kosovë.
Dhe Kosova, thjesht, ka heshtur para një realiteti të tillë, pra, që përballë e kemi një agresor, i cili po i mban peng trupat e qytetarëve tanë dhe ka pranuar njëfarë lloj situate ku u thuhet kosovarëve që “edhe ju duhet të jepni diçka”.Ne e kemi dhënë më të shtrenjtën tonë. I kemi dhënë njerëzit tanë, shumë prej të cilëve ende nuk dihet se ku janë, sepse kanë qenë në varreza masive në pjesë të ndryshme të Serbisë. Kur e jep më të shtrenjtën tënde, deri edhe mbi 1 mijë fëmijë, natyrisht që është krejtësisht qasje e gabuar që Kosova të ulet në tavolinë me pretendimin që duhet ta shpërblesh Serbinë edhe me diçka shtesë, për krimet që i ka kryer, qoftë me territor, qoftë me një autonomi për serbët, të cilën ajo do ta shfrytëzojë në qoftë se formohet, për ta destabilizuar Kosovën edhe për dekada të tjera.Zonja Osmani, kalojmë në një temë tjetër. A jeni pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) apo kjo tashmë është vetëm në nivel formal?Vjosa Osmani: Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë vendim për të më përjashtuar, më 21 qershor të këtij viti, nga pozitat që kam pasur në atë subjekt politik, në të cilin janë bërë 20 vjet që kam pasur aktivitet dhe ky ka qenë vendim i tyre. Nuk ka qenë në asnjë moment vendim i imi. Ka qenë vendim, të cilin e kam kundërshtuar, sepse gjatë krejt kësaj periudhe, që një shumicë brenda strukturave aktuale të LDK-së më ka kundërshtuar.
Unë kam qenë ajo që i kam mbrojtur parimet e LDK-së dhe parimet me të cilat kemi dalë para qytetarëve tanë në zgjedhjet e fundit.Kurse, ata që më përjashtuan e kanë bërë të kundërtën. Pra, nuk kanë mbrojtur as parimet e LDK-së, as vlerat e LDK-së e aq më pak fjalën e dhënë para qytetarëve. Kjo ka qenë zgjedhje e tyre, që të më përjashtojnë. Pra, ndarja e rrugëve, ka qenë vendim i tyre dhe natyrisht që nuk më kanë lënë rrugë tjetër, sepse në momentin kur përjashtohesh, nuk mund thjesht të rrish të dera dhe të presësh derisa të hapet ajo derë sërish.Do të thotë, ju jeni jashtë Lidhjes Demokratike të Kosovës?Vjosa Osmani: Unë jam përjashtuar nga Lidhja demokratike e Kosovës, më 21 qershor. Ky është realiteti, të cilin shumë njerëz po tentojnë ta relativizojnë. Por, e vërteta është kjo. Është e vetmja e vërtetë dhe nuk ka të vërtetë tjetër. Në daç quaje përjashtim ose lirim nga detyra apo çka të duash. Është largim.
Më kanë larguar, sepse nuk e duan kontributin tim. Më kanë larguar, sepse nuk e duan qëndrimin tim, nuk i duan idetë e mia, nuk e duan prezencën time. Në fakt, ato i donin vetëm në kohë zgjedhjesh, por tash nuk po i duan më. Kështu që ka qenë vendim i tyre që të vazhdojnë rrugën që e kanë zgjedhur, që është rrugë në kundërshtim me vullnetin qytetar të 6 tetorit. Kanë zgjedhur rrugë tjetër dhe dëshirojnë ta ecin pa mua. Është rrugë e zgjedhur nga ana e tyre.A keni pasur ofertë që të kaloni në Lëvizjen Vetëvendosje?Vjosa Osmani: Edhe Lëvizja Vetëvendosje, por edhe çdokush tjetër, e dinë që unë nuk jam person që merrem me oferta, me transfere, me çështje të tilla. Ne ulemi dhe diskutojmë se si mund të bashkëpunojmë në të ardhmen, në mënyrë që t’i ndihmojmë këtij vendi që të merret me sfidën numër një që e ka, që është kapja e shtetit. Pra, bashkëpunimi im me ta është në këtë kontekst.Me secilin njeri të Kosovës që e ka qëllimin e tillë të mirë, unë bashkëpunoj.
Mirëpo, unë e kam bërë të qartë që nuk është se kam ndonjë qëllim që të kaloj në ndonjë nga subjektet tjera aktuale.Për momentin, bashkë me bashkëpunëtorët e mi jam duke analizuar se si do të jetë angazhimi im politik, në qoftë se ka zgjedhje së shpejti.Keni paralajmëruar një iniciativë të re politike. A e shihni këtë si të vetmen mënyrë që të mbeteni në politikë, momentalisht?Vjosa Osmani: Tash, mundësitë janë të shumta. Mirëpo, mua më duhet ta zgjedh mundësinë më të mirë për të dhënë kontribut që vendi im të ecë përpara. Përderisa LDK-ja nuk e dëshiron kontributin tim, unë jam e detyruar që të shikoj se si këtë kontribut ta kanalizoj në mënyrën më të mirë.Iniciativa është diçka që jemi duke e diskutuar. Pra, jemi vetëm në fazën e diskutimeve të ideve se si do të mund të funksiononte diçka e tillë, me njerëz intelektual, me njerëz të ngritur, me njerëz që e duan këtë vend, me njerëz profesionistë dhe me integritet.
Shumë herë në Kosovë krijohet përshtypja që ndonjë iniciativë politike ose cilado ide që dëshiron ta çosh përpara – edhe hiç pa qenë iniciativë – duhet të bëhet vetëm me njerëzit që janë aktualisht në politikë.Jo. Besomëni, njerëzit më të mirë, profesionistë, na kanë mbetur jashtë, sepse aq shumë u është gërditur ajo çka ka ndodhur në institucionet tona qe 20 vjet, sa që më shumë e kanë parë veten duke punuar qoftë në sektorin privat, qoftë në mënyra tjera, qoftë edhe jashtë vendit, diaspora jonë dhe kanë vazhduar kontributin e tyre për vendin, por jo brenda institucioneve. Kështu që, tash, të pretendohet që çfarëdo iniciative e re duhet patjetër vetëm të bëjë një lloj grupimi dhe riorganizimi të njerëzve aktualë, unë mendoj që është gabim.Ne duhet të sigurohemi përfundimisht që dyert e institucioneve tona t’i hapim për njerëzit profesionistë, për njerëzit me integritet, njerëz të rinj dhe njerëz që kanë se çfarë i japin këtyre institucioneve dhe vendit.
Por, po e përsëris, këto janë vetëm ide që i diskutojmë për momentin. Kurdo që shpallen zgjedhjet e reja, ne atëherë do të shohim që të konkretizojmë.Do të thotë, nuk dihet se kush do të jetë pjesë e kësaj iniciative, apo…?Vjosa Osmani: Ndoshta edhe dihet, por janë çështje që konkretizohen pak më vonë, sepse, siç e thashë, është në nivel të ideve akoma dhe kur jemi duke diskutuar ide, është tepër herët të flitet për njerëz. Do të thotë, për njerëz flitet vetëm kur një iniciativë e tillë do të konsolidohej, do të regjistrohej formalisht dhe atëherë e vlen që të flasim me emra. Për momentin, ne jemi në proces të diskutimeve, kështu që nuk ka asnjë kuptim që të flasim për emra për momentin.Për çka do të angazhohet kjo inicativë?Vjosa Osmani: Për çkapjen e shtetit, demokratizimin e vendit dhe hapjen e rrugës për profesionistët e vërtetë dhe njerëzit me integritet, që ta bjënë këtë shtet ashtu siç e meritojnë qytetarët tanë dhe ta bëjnë këtë shtet një vend me të cilin ata do të mburren, e jo një vend nga i cili dëshirojnë të ikin.
Kur bëhet fjalë për angazhimin tuaj në parti, a e shihni veten në të ardhmen vetëm në Lidhjen Demokratike të Kosovës apo edhe në ndonjë parti tjetër?Vjosa Osmani: Unë do të pres të shoh se çka do të ndodhë në LDK përgjatë këtyre viteve. Nëqoftëse aty vërtet ka një lëvizje për reformim, i cili i sjell në pah njerëzit, të cilët e mbajnë fjalën publike, kanë përgjegjësi për fjalën publike, nuk përzihen me parti, të cilat janë shquar për krim e korrupsion, por janë vërtet të interesuar që nëpërmjet qeverisjes së pastër dhe qeverisjes vetëm me partnerë të tjerë të pastër ta bëjnë Kosovën shtet ku ka shpresë, sidomos për rininë tonë, atëherë natyrisht që unë do të rikthehem.Prandaj, edhe unë angazhimin në këto zgjedhje që mund të vijnë së shpejti, e shoh si një lloj angazhimi të përkohshëm, dhe është edhe një votë edhe për reformimin e LDK-së, sepse do të jetë një mesazh që LDK-ja vërtet duhet të reformohet, duhet të ndryshojë, duhet të hapet për njerëz të cilët e mbajnë fjalën dhe jo të konsiderohet se, ajo çka ka ndodhur prej 6 tetorit e tutje është normalitet.
Nuk është normale të dalësh para qytetarëve me diçka komplet tjetër dhe tani t’u servosh duke devijuar në tërësi vullnetin e tyre, diçka komplet të kundërt. Në një shoqëri demokratike, nuk është normale dhe duhet të ndalemi dhe të mos tentojmë ta normalizojmë edhe më tutje, ta arsyetojmë me faktin se çdo parti hyn në zgjedhje veç që të qeverisë. Jo, jo – për të qeverisur po – por për të qeverisur mirë, për të qeverisur me partnerë si duhet, të qeverisë me njerëz që nuk janë të zhytur në krim e korrupsion, të qeverisë duke mbrojtur interesin e shtetit tënd, duke dhënë shembull se kur u thua diçka qytetarëve, ke përgjegjësi për fjalën publike.Ashtu qeveriset në një vend demokratik, mund ta shihni, secili prej nesh që kemi jetuar në shtete të zhvilluara demokratike për një periudhë, e kemi parë se çka nënkupton qeverisja e mirë, e jo vetëm të thuhet qëllimi qenka pushteti.
Nuk mund të jetë vetëm pushteti qëllim, duhet partia politike, qeverisjen apo pushtetin duhet ta shfrytëzojë për të arritur diçka të mirë për qytetarët e jo për të arritur diçka të mirë vetëm për vetveten. Prandaj, edhe po e them, ky për mua është një angazhim i përkohshëm me qëllim që unë t’i ndihmoj nga jashtë, të tjerët të ndihmojnë nga brenda e LDK-ja t’u rikthehet vlerave të saj të vërteta.Presidenti Ibrahim Rugova mbetet lideri ynë historik për shumë arsye, për orientim strategjik e shumëçka tjetër. Por, më të rëndësishmen nuk e përmendin – ai e ka dashur popullin e vet, i ka dashur njerëzit e tij, nuk i ka rrejtë kurrë, për këtë arsye e kanë dashur edhe ata atë, për këtë arsye nuk ia kanë kthyer shpinën kurrë, për këtë arsye mbetet lideri me mbështetjen më të madhe popullore në historinë tonë, për këtë arsye ka qenë president i të gjithëve, jo vetëm i partisë, sepse ka pasur përgjegjësi publike ndaj fjalës që ua ka dhënë qytetarëve.
Pra, nuk ka hyrë në zgjedhje veç për të marrë pak pushtet, por ka hyrë në zgjedhje që të mos ua kthejë shpinën qytetarëve të vet. Prandaj, edhe unë tash kur i dëgjoj këto idetë, jo dikush do t’i marrë kaq përqind e aq përqind, e them një gjë: e mira e së mirës është që për këtë do të vendosin në fund qytetarët.Nëpërmjet iniciativës, të cilën po e paralajmëroni, a do të ketë vija të kuqe apo të gjelbra të bashkëpunimit me subjekte të caktuara politike?Vjosa Osmani: Natyrisht që do të ketë. Mirëpo, pak mos u ngutni sepse unë po e them, iniciativa nuk është formuar, është vetëm ide, është ide e cila ka për qëllim që t’i japë mundësinë një grupi të njerëzve profesionistë që të bëhen pjesë e politikës dhe ta ndihmojnë vendin, institucionet, duke dhënë kontribut profesional e me integritet. Nëqoftëse do të arrihet të bëhet një gjë e tillë, e kam bërë të qartë edhe më herët dhe po e përsëris, ne e shohim si partner koalicioni, apo së paku kështu mendoj unë po edhe bashkëpunëtorët e tjerë me të cilët diskutojmë, si partner të vetëm dhe të pakontestueshëm për këtë fazë e shohim Lëvizjen Vetëvendosje, bashkë me të cilën besoj do të mund të ndërtonim një koalicion parimor, që ka për qëllim të merrët me problemet më imediate të qytetarëve tanë.
Përkundër faktit, që unë vazhdoj të besoj në vlerat e qendrës së djathtë, ata janë një parti e qendrës së majtë, kemi shembuj të shumtë nëpër botë, psh në Gjermani por dhe vende të tjera, kur për arsye dhe kauza më të mëdha kanë vendosur në program të përbashkët, kurse dallimet ideologjike do t’i shihni ndërkohë. Mirëpo, është një kauzë tepër më e madhe që do të mund të na sillte neve bashkë në qeverisje në rast se natyrisht arrijmë të konsolidojmë diçka të tillë që po e përsëris, për momentin është në fazë të ideve.Zonja Osmani, gjatë mandatit tuaj si kryetare e Kuvendit të Kosovës, në mjaft raste është shënuar degradim i gjuhës parlamentare dhe sjelljeve parlamentare, nga ana e deputetëve të caktuar, përfshirë edhe ndaj jush. Pse, sipas jush, ka ardhur deri te një degradim i tillë dhe a ka sanksione të mjaftueshme efektive që mund të parandalojnë një gjuhë dhe një sjellje të tillë?Vjosa Osmani: Jo për fat të keq nuk ka sanksione të mjaftueshme, por jemi duke punuar në këtë drejtim me rregulloren e re të Kuvendit të Kosovës, e cila është akoma një draft. Është një situatë e rëndë për shkak se ju i dëgjoni vetëm ato që dëgjohen në mikrofon.
Çka ndodh aty, do të thotë numri i fyerjeve në raport me mua sa herë që dal në mikrofon, sa herë jam duke e udhëhequr seancën me qëllim që të degradojnë komplet udhëheqjen e seancave, po flas për deputetë të caktuar, është tejet i madh. Mirëpo, jam mësuar që t’i injoroj shumicën dërmuese prej tyre, sepse në radhë të parë shumë prej tyre e tregojnë edukatën e vet dhe e dyta tregojnë që nuk kanë ardhur aty, disa prej tyre, që të kontribuojnë për çështje që janë në interes qytetar por për të treguar sjellje që, për fat të keq, siç e dëshmuan këto vite, shpesh herë edhe janë sjellje banditeske. Pra, të tillat nuk do të duhej të lejoheshin asnjëherë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por siç e thashë, mundësitë e reagimit ekzistojnë, mirëpo problemi është që pastaj për zbatimin e tyre është një komplikim i madh se si është paraparë në rregullat aktuale.Pra, shpeshherë ka deputetë aty që më kanë thënë që jam e ashpër, mirëpo problemi është ky, duhet ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë, si kryetare e Kuvendit unë kam detyra të qarta. Nëqoftëse një deputet e parandalon mbarëvajtjen e seancës është detyrë imja, nuk është çështje e dëshirës, është detyrë imja që ta paralajmëroj atë deputet. Unë thjesht e kryej detyrën time. Por, aty ka pasur tentime të ndryshme, si duket dikush i ka mashtruar se mund të frikësohem.
Le ta harrojnë që me sulmet, me tentim-denigrimet, me fyerjet e tyre, që mund ta frikësojnë dikë, le ta harrojnë.Zonja Osmani, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka proceduar në Kuvendin e Kosovës një kërkesë për amandamentimin e Kushtetutës lidhur me vazhdimin e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, që njihet si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë. Para se kjo të procedohet për votim nga deputetët e Kuvendit, ju si kryetare e Kuvendit, duhet ta dërgoni këtë propozim për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar nëse ndryshimi i propozuar pakëson ndonjë të drejtë apo liri të përcaktuar në Kushtetutë. Kur do ta dërgoni?Vjosa Osmani: Kuvendi i Kosovës akoma nuk është mbledhur dhe që nga data 14 shtator, ashtu siç parashihet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e gjithë administrata e Kuvendit do të kthehet, të gjithë deputetët do të kthehen dhe vetëm nga ajo datë ne do të mund të pranojmë dokumente, propozime, pra nga e hëna e tutje.
Në momentin që ai dokument protokollohet, në momentin që Kuvendi kthehet dhe fillon të punojë, sepse në periudhën e pushimit që parashihet me Kushtetutë, Kuvendi nuk punon, pra nuk mblidhet as për të shqyrtuar dokumente asnjë nga trupat e tij, unë do ta shqyrtoj si kryetare e Kuvendit, faktikisht do ta marr atë dokument dhe do të veproj ashtu siç e kërkon Kushtetuta, ashtu siç e kërkon amendamenti 24 i Kushtetutës dhe ashtu siç e kërkon Ligji për Dhomat e Specializuara.Në anën tjetër, natyrisht që unë do ta kryej detyrën time kushtetuese, por një hedhje sy asaj që është propozuar sa e kam parë në media, tregon që është një amendament për një çështje që tashmë është e zgjidhur, sepse mandati i Dhomave të Specializuara vazhdon automatikisht siç e dini, në përputhje me një marrëveshje që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, parasheh që duhet një lloj njoftimi nga ana e Këshillit për përfundim të këtij mandati. Ai njoftim akoma nuk ka ardhur, rrjedhimisht mandati dhe fare pak edhe amendament-mandati i Dhomave të Specializuara vazhdon edhe tani janë duke vepruar me mandat të plotë. /REL
Discussion about this post