Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka filluar hakmarrjen ndaj deputetëve të partisë së tij.
Kjo pasi disa nga ta, nuk e votuan krijimin e Qeverisë Hoti, e udhëhequr nga nënkryetari i partisë, Avdullah Hoti, shkruan gazeta inFokus.
Gazeta inFokus, merr vesh nga burime të sigurta brenda partisë së Isa Mustafës, që ky i fundit, gjatë kësaj të hëne ka mbledhur kryetarët e degëve të partisë.
Ky burim brenda LDK-së, që edhe ishte brenda mbledhjes, i ka thënë se Mustafa i ka njoftuar kryetarët e degëve që do të merren masa ndaj deputetëve që nuk e votuan Qeverinë Hoti.
Burimi brenda takimit i ka thënë se Kryetari i partisë, Isa Mustafa, i ka njoftuar kryetarët e degëve që për këtë punë shumë shpejt do të thirret edhe Këshilli i Përgjithshëm i partisë, ku do të kërkohet edhe përjashtimi i këtyre deputetëve nga partia.
Kundër Qeverisë Hoti, ishin Vjosa Osmani dhe Haxhi Avdyli, ndërsa deputeti Fatmir Rexhepi kishte abstenuar.
E deputeti Ardian Shala, pavarësisht që kishte shprehur qëndrim kundër, e ka votuar Qeverinë.
Qeveria Hoti, u bë me saktësisht 61 vota, minimum që kërkohet për të votuar ekzekutivin.
Discussion about this post