Serbët e Kosovës kanë kërcënuar me largim nga institucionet e vendit në rast se vazhdon refuzimi i Kosovës për të diskutuar për Asociacionin, shkruan Reporteri.
Ky përfundim është nxjerrë pas një takimi që përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kanë pasur me Drejtorin e ri të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq dhe ish drejtorin e kësaj zyre Marko Gjuriq.
Sipas tyre refuzimi i Prishtinës për të diskutuar për Asociacionin e Komunave Serbe është një goditje e interesave jetike të popullit serb dhe rrezikon të drejtat e tyre kolektive politike, ekonomike dhe sociale.
“Formimi i Asociacionit të Komunave Serbe është një interes strategjik i Serbëve në Kosovë dhe çdo shpërfillje e detyrimit për t’u formuar me të gjitha kompetencat që i përkasin asaj në përputhje me marrëveshjet e Brukselit do të trajtohet si një sulm i hapur ndaj të drejtave të fituara të popullit tonë. Serbët kanë pranuar të jenë në institucionet e Kosovës pikërisht sepse ata kanë marrë garanci të prerë për respektimin e të drejtave kolektive përmes Asociacionit Komunave Serbe”, thuhet në reagim.
Ata kanë kërcënuar se nëse Prishtina në mënyrë të njëanshme vendos të mos përmbushë detyrimet e nënshkruara para Bashkimit Evropian, atëherë ata do të shqyrtojnë largimin nga Qeveria.
Kujtojmë se pikërisht për këtë temë, gjatë ditës së sotme në Kosovë do të qëndrojë i dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak. Kjo pasi dialogu Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është bllokuar për shkak të Asociacionit. Pala kosovare nuk ka pranuar që të dialogojë për këtë temë, derisa, për të njëjtën kanë insistuar në Beograd. /Reporteri.net
Discussion about this post