Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, sot tha se fitorja në një komunë nuk është sukses i dekadës e as humbje e dekadës, shkruan IndeksOnline.
Haziri tha se humbja në zgjedhjet e jashtëzakonshme, në Podujevë, të dielën do t’i bëjë më të fortë duke u dhënë mësim që të përgatiten për procese me të mëdha.
Kryetari i Gjilanit këto komente i bëri pas homazheve që bëri së bashku me kryesinë te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, për ditëlindjen e tij.
“Nuk ka të bëjë me kriza, por me lëvizje, LDK-ja do të ecë pa u ndalë pasi është parti që pa të nuk ka as zgjidhje as zgjedhje, duke qenë themelues ndërtues e kësaj ëndërre. Ne me kohë kemi ditur se si të ecim prapa tij, Ibrahim Rugovës, e sot e asaj ditës kemi dhimbjet tona në procese, po kalojmë nëpër ditë të vështira nganjëherë por kjo na nxjerr mësim, na nxjerr më të fortë, fundja në një garë politike në një komunë nuk duhet të merret as si suksesi i dekadës, është mësim i mirë për me përgatit procese më të mëdha.
Filozofinë e tij duhet ta kuptojnë të gjithë ata që LDK-ja i bartë, ne nuk jemi fanatikë politikë, rugovizëm është kur një sukses i madh apo i vogël para njërëzve të bën më të përgjegjshëm e jo më kryelartë e arrogantë që e shohim te partitë e tjera”, tha ai./IndeksOnline/
Discussion about this post