Liqeni i Ujmanit është bërë shkak i përplasjes ndërmjet kryeministrit, Avdullah Hoti dhe deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.
Kjo e fundit tha se është mëkat për vendin kush e përfaqëson dhe mbron asetet e vendit. Ndërkaq, kreu i qeverisë i kërkoi asaj të gjejë kauza tjera politike, pasi ajo për Ujmanin nuk qëndron.
Deputetja Kusari-Lila tha se sa më shumë po flet kryeministri për këtë temë, aq më shumë po ngjallë pasiguri dhe frikë.
“Sa më shumë që po diskutoni zotëri Hoti aq më shumë frikë e pasiguri po ndillni te secili prej nesh dhe tek secili që po e përcjell këtë debat jashtë sallës së Kuvendit. Me dalë në foltore kryeministri i vendit dhe me deklarua se liqeni i Ohrit, Shkodrës dhe liqeni i Ujmanit e kanë statusin e njëjtë është më shumë se turp. Është mëkat për vendin dhe kush përfaqëson dhe mbron asetet e shtetit. Ato janë liqeni natyrore dhe përcaktohen me konventa ndërkombëtare siç e ceket vijat e ndarjes të këtyre pasurive natyrore në kufi.
Kosova në Ujman nuk ka kufi me Serbinë sepse është objekt i ndërtuar. Hidrocentrali i Ujmanit është në Kosovë dhe për informatën e juaj pasi po shihet ose po injoroni ose po dëshironi me shitë diçka tepër lirë para opinionin. Në vitin 2013 në Bruksel përfaqësuesi i Serbisë ka përmendur njëjtë Ujmanin. Aso kohe negociatorja, Edita Tahiri e ka lëshuar takimin”, tha ajo.Por kryeministri iu kundërpërgjigj duke i thënë se kauza e liqenit të Ujmanit nuk i qon askund, pasi sipas tij do të jetë vetëm një studim i fizibilitetit nga Departamenti Amerikan për Energji.
Discussion about this post