Grupit mediatik të Flaka Surroi dita ditës po i largohen emrat që në vitet e fundit është identifikuar kjo kompani. Së fundi KTV-së “mirupafshim” i ka thënë moderatori i emisionit “Interaktiv”, Xhemajl Rexha.
Moderatori i njohur i KTV-së Xhemajl Rexha është duke kaluar ditët e fundit në këtë televizion, që deri më sot, përveç se ka drejtuar emisionin “Interaktiv” prej muajsh ka mbajtur edhe pozitën e kryeredaktorit të Kohavisionit.
Largimi i tij nga KTV-ja, siç ka marrë vesh Gazeta Online “Reporteri.net” është zyrtarizuar brenda grupit mediatik “Koha”.
Për largimin e tij nga ky televizion, pjesë e të cilit është për më shumë se 15 vite, është përfolur edhe në të shkuarën, por me tu ngritur në detyrë nga moderimi i “Interaktiv-it” në pozitën e kryeredaktorit të KTV-së, këta zëra ishin shuar.
Por, këtë herë situata është ndryshe. Xhemajl Rexha ka njoftuar se drejtuesit e televizionit se përfundimisht do të largohet nga KTV-ja, shkruan Reporteri.net. Paraqitjet e tij në “Interaktiv”, në ditët e fundit, janë të fundit për moderatorin e njohur kosovar.
Nuk dihet ende se ku do ta vazhdojë punën e tij, Xhema, sikurse nuk dihet ende se kush do ta vazhdojë emisionin ‘Interaktiv’ në KTV.
I kontaktuar nga Reporteri.net, ai, të martën, nuk është përgjigjur në interesimin e gazetës online për largimin e tij nga KTV-ja.
Largimi i Rexhes, është në vazhdën e disa largimeve të bujshme që kanë ndodhur në muajt e fundit brenda këtij televizioni që drejtohet nga familja Surroi.
Vetëm pak ditë më parë nga KTV-ja njoftoi largimin edhe gazetarja Ardiana Thaçi-Mehmeti, e cila për vite të tëra ka qenë pjesë e këtij televizioni.
Po ashtu, vetëm disa muaj më parë, nga KTV-ja, bashkë me emisionin e tij është larguar edhe autori i emisionit “Rubikon”, Adriatik Kelmendi, i cili mori drejtimin e Klan Kosovës.
Për veç për largimet, KTV-ja, sikurse në përgjithësi grupi mediatik “KOHA”, në muajt e fundit mbahet mënd është për pozicionimin e tyre pro-qeveritarë gjatë Qeverisë Kurti. /Reporteri.net/.
Discussion about this post