Ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa, përmes një statusi të gjatë në Facebook, ka shprehur pakënaqësitë e tij për humbjen e LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit, shkruan Gazeta Sinjali.
Mustafa u shpreh se përveç dorëheqjes së kryetarit Isa Mustafa, që derivoi në dorëheqjen e kryesisë, nuk flet askush më asgjë.
“Në vend të hapjes së debatit të brendshëm, heshtje. Në vend të debatit me këta 103 mijë votues që na mbetën besnik, heshtje. Në vend të debatit me mbi 100 mijë votues që na ikën tash, heshtje. Në vend të debatit me qindra mijëra votues që e braktisën LDK-në nga 2006-ta tutje, heshtje”, shtoi ai.
Kjo heshtje sipas tij po bëhet sepse po kalkulohen matematika që blejnë paqe dhe qetësi, që bëjnë se kinse ka paqe dhe qetësi, bashkëpunim dhe koordinim.
“Takime në grupe të ngushta, kinse për ta ruajtur partinë, por që në fakt diskutojnë interesa të ngushta. Jo interesin e LDK-së, jo interesin e qytetarëve, jo interesin e Kosovës.”
“Kur tallesh me votuesin, një ditë vie fatura politike për ta paguar. Në politikë, nuk mbetet asnjë faturë pa paguar. Mund ta shtysh për mandatin tjetër, por dikur duhet ta paguash. Mund t’ua përcjellësh faturën gjeneratës tjetër në parti, por një ditë duhet ta paguajnë.”
Mustafa ka thënë se viti 2021 për LDK-në tanimë është përsëritje e viti 2006.
“Humbje, përçarje, degradim. Mundemi dhe duhemi ta shndërrojmë në përsëritje të vitit 1989: energji e re, vizion, kurajo, durim, punë.”
“E di që shumë bashkëpartiak do të më thërrasin pas kësaj letre. Shpresoj që më thërrasin për strategjinë e unitetit dhe komunikimit me elektoratin. Unë në LDK do të jem, duke dëgjuar, bashkëbiseduar e punuar sepse nuk kam organizim tjetër. Sepse nuk mund ta paramendoj veten jashtë shtëpisë që ndërtuan baballarët tanë. Shtëpinë e hapur për të gjithë ata që punojnë për ta bërë shtëpinë më të dëshirueshme të secilit qytetar të Kosovës.”/Gazeta Sinjali/
Discussion about this post