Vonesa e borxheve shkakton telashe të shumta mes qytetarëve të cilët kanë raporte të afërta me njëri-tjetrin. Si rrjedhojë e kësaj krisen miqësi e lidhje familjare, e shpesh herë lindin edhe konflikte, si dhe personat e përfshirë marrin vetë drejtësinë në duar, raporton Gazeta Sinjali.
Një borxh është bërë mollë sherri edhe mes dy personave në Prishtinë, me ç’rast një 33-vjeçar ia ka vjedhur targat e veturës vajzës e cila ka obligime financiare ndaj tij.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur të martën, kur 24-vjeçarja posa ka dalë nga hoteli ku është vendosur në Hajvali, ka vërejtur në parking se veturës së saj i mungojnë targat.
Kjo ka bërë që ajo të kërkojë ndihmën e Policisë së Kosovës, teksa gjatë ditës së djeshme ka njoftuar hetuesit se i dyshuari ka kërkuar që në këmbim të kthimit të targave, të takohet me të.
Njësitë policore kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacion policor ku para hetuesve policorë ka deklaruar se targat i ka marrë dhe i ka dërguar në shtëpinë e tij në fshatin Komogllavë të Ferizajt, pasi viktima i ka atij një borxh.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj tij të nisin hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vetëgjyqësia’.