Koronavirusi, brenda 24 orëve të fundit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka paralajmëtuar se në disa komuna mund të shpërthejnë vatra të reja epidemike.
“Që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, kemi gjurmuar raste të reja të COVID-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës e në veçanti në komunën e Prishtinës, Vushtrrisë, Prizrenit, Fushë Kosovës, Obiliqit nga mosmbajtja e distancës dhe mosmbajtja e maskave”, thuhet në njoftimin e këtij instituti, transmeton Gazeta Evropa.
Poashtu, ky institut ka paralajmëruar se pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre aktiviteteve, mund të shtojnë rrezikun e përhapjes së infeksionit, përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve.
Bazuar në këtë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë kanë rekomanduar që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritashme e në veçanti zbatimi i planit për masat lehtësuese që nënkupton vazhdimin e zbatimit të mëtutjeshëm të rekomandimeve.
“Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimi i maskave, dezinfektimi dhe ajrosja e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura”, thuhet në njoftimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Ndër tjerash, është rekomanduar që inspektoratet sanitare të AUV dhe inspektoratet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin per Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe të merren masa përgjegjësie në rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.
“Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve”, thuhet në njoftimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Discussion about this post