Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është i bindur se Kryeministri i Republikës, Avdullah Hoti dhe Presidenti Hashim Thaçi, nuk kanë guxim të bëjnë marrëveshje me Serbinë. Ka thënë se çfarëdo marrëveshje me Serbinë nuk do të vlejë sa çmimi i letrës.
“Kjo qeveri e paligjshme dhe ky president i frustruar nuk guxojnë të bëjnë marrëveshje me Serbinë. Këta e dinë se çfarëdo marrëveshjeje që do ta bëjnë, eventualisht nuk do të vlejë as sa çmimi i letrës, në të cilën është shkruar dhe çmimi i ngjyrës me të cilën kanë nënshkruar. Pra, këta nuk guxojnë të bëjnë marrëveshje me Serbinë. Ky pushtet nuk e ka kapacitetin për t’u përballur me Serbinë dhe nuk e ka legjitimitetin për të dialoguar me të”, ka thënë Kurti, në një intervistë për REL.
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tradicionalisht ka qenë kundër marrëveshjeve të deritashme me Serbinë përfshirë Rambujëne dhe Vjenën.
Kurti kishte organizuar protesta për të kundërshtuar Pakon e Ahtisaarit pasi deklaronte se me këtë dokument nuk vjen Pavarësia e Kosovës. Në ato protesta kishin vdekur dy qytetarë të Kosovës.
Sa ishte Shef i Qeverisë, Kurti kishte thënë se ka refuzuar të bëhet pjesë e ekipit për të nënshkruar një marrëveshje në “Shtëpinë e Bardhë, Shtëpinë e Verdhë, Shtëpinë e Kuqe”, ku Thaçi e Vucic po qëndrojnë me thika mbi hartën e Kosovës.
Discussion about this post