Në studion e emisionit “Top Talk” drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte i ftuar analisti Milaim Zeka, gjatë fjalës së tij Zeka tregoi situatën aktuale politike në Kosovë.
Ai paralajmëroi se në Kosovë, do të shpërthejnë trazirat dhe mund të kemi një skenar të ngjashëm me atë të 97 në Shqipëri.
Për të qetësuar situatën, Zeka sugjeron që partia Lëvizje Vetë Vendosje, e cila drejtohet nga kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, të presë me qetësi vendimin e marrë nga Gjykata Kushtetuese dhe të përgatitet për të hyrë në zgjedhje në mars të vitit të ardhshëm.
Ndërsa theksoi se Avdullah Hoti (kryeministri që pritet të marrë detyrën), ka të gjithë targetin për të negociuar me Serbinë dhe Brukselin,për liberalizimin e vizave dhe sipas tij kjo gjë do të ndodhë. Ndërkaq, analisti kishte një replikë për kolegun e tij Andi Bushati dhe avokatin Spartak Ngjela.
Sipas tij thirrja që Bushati ka bërë në studiot televizive për djegie dhe trazira është e gabuar dhe nuk mund të tolerohet në vende të ndryshme të botës.
Ndërsa për avokatin Ngjela, replika e tij u drejtua për një deklaratë të avokatit ku thotë “Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka vrarë vullnetin e popullit”.
Sipas Zekës ato 85 deputetë në parlamentin e Kosovës, janë aty për të përfaqësuar vullnetin e popullit, ndaj për këtë arsye sipas tij kjo deklaratë e avokatit është e gabuar.
Milaim Zeka: Edhe kur kemi folur herën e parë që shqetësimi më i madh i imi është që në Kosovë jo që mund të ketë trazira, por është skenar për një luftë qytetare dhe këtë skenarë ka disa javë që po e përgatit qeveria në pushtet Albin Kurti.
Nuk ka ndodhur në histori të njerëzimit, të paktën në Kontinentin Evropian, ku qeveria dje ka mbledhur protesta kundër qeverisë. Në një moment i humbi qëllimi se përse kishin dalë në shesh dhe brohorisnin poshtë qeveria.
Unë shumë frikësohem që do të kemi një skenar që e kishim në vitin 1997 në Tiranë. Shqetësimi im është ende më i madh kur shihen zëra të njerëzve përgjegjës nga Tirana, qoftë publicist, qoftë politikan, qoftë avokat, të tipit Andi Bushati, i cili mbrëmë në studion e Top Channel thërriste për revoltë, për revolucion, për djegie të zyrave të qeverisë, për djegie të makinave të qeverisë.
Por nuk mundesh ti që të jesh i çmendur dhe të thuash jam demokrat.
Albin Kurti dhe Andi Bushati mund të protestojnë me këmbë të para dhe të mbrapme, por nuk bën thirrje për djegie të makinave dhe për djegie të makinave të presidentit, sepse ato janë akte të dhunës, janë akte terroriste dhe janë të dënueshme me çdo ligj botëror.
Të shkojë Andi Bushati në Suedi ose në Berlin dhe të shkoj të provojë djegie makinat e zyrtarëve dhe më pas të shohë reagimin.
Edhe avokati Ngjela që gjithçka është por vetëm avokat nuk është. Ngjela thotë që Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim të gabuar dhe ka vrarë vullnetin e popullit. Po ato 85 deputetë në parlament vullnetin e kujt përfaqësojnë? Vullnetin e qytetarëve, votuesve popullit.
Denis Dyrnjaja: Abdullah Hoti e ka gati kabinetin e tij qeverisës? Dhe kur mund të votëbesohet në parlament?
Milaim Zeka: Në bazë të informacionit që kam me kreu kryesor të Lidhjes Demokratike të Kosovës çdo gjë është duke shkuar në bazë të procedurës teknike. Abudllah Hoti ka vetëm një shqetësim, a duhet të thirret seancë e Kuvendit të Republikës të Kosovës para se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të zbardhet apo mund të shkohet në mënyrë automatike. Përndryshe nesër mund të kemi qeverinë e re mos largu deri ditën e hënë.
Denis Dyrnjaja: Ju folët pak më parë për një skenar si ai i 97. Thatë një luftë qytetare që nënkupton luftën civile. Sa afër dhe sa larg jemi këtij realiteti dhe si mund të parandalohet kjo gjë?
Milaim Zeka: Gjakderdhja mund të shmanget vetëm nga ana e Lëvizjes Vetë Vendosje duke bërë thirrje të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe kjo lëvizje të përgatitet për të shkuar në zgjedhje të parakoheshme, në marsin e vitit të ardhshëm. Kjo është një qeveri trazitore që do të futet në dialog menjëherë me Serbinë, do të futet në dialog me Brukselin për liberalizimin e vizave.
Denis Dyrnjaja: Një qeveri me mandate tranzitor e ka tagerin të marrë përsipër të negociojë me Beogradin një marrëveshje kaq madhore?
Milaim Zeka: Unë mendoj që po sepse prijësi i dialogut do të jetë presidenti Thaçi, absolut që BE dhe SHBA kësaj qeverie do t’i japë dhuratë liberalizimin e vizave. Unë kam informacion që Abdullah Hotit i është premtuar kjo gjë.
Discussion about this post