Donika Gërvalla, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka deklaruar se në takimin që pati Grupi Punues për Viza të Këshillit të Bashkimit Evropian (BE), nuk ka pasur ndonjë kundërshtim apo kontestim.
Një gjë të tillë, Gërvalla e deklaroi në llogarinë zyrtare të saj në ‘Facebook, teksa tha se “sot ishte dita e nisjes së fazës së fundit të këtij procesi, i cili kohë të gjatë ka vendnumëruar”, shkruan lajmi.net.
“Grupi për Viza mirëpriti përditësimin nga Komisioni dhe përgjithësisht përkrahu vazhdimin e procesit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Nuk pati kundërshtime dhe kontestime. Janë ngritur çështje teknike, të cilat do të adresohen në diskutimet e mëtutjeshme brenda Grupit për Viza, prej ku procesi do të vazhdojë tutje drejt përmbylljes në afatin e rregullt”, deklaroi ajo.
“Siç e kemi thënë edhe më parë, sot nuk ishte dita e vendimit. Sot ishte dita e nisjes së fazës së fundit të këtij procesi, i cili kohë të gjatë ka vendnumëruar, por që tani është në lëvizje dhe drejt zgjidhjes së tij, ashtu siç e meritojnë qytetarët e Kosovës prej kohësh”, vijon postimi i saj.
Gërvalla nuk e komentoi çështjen e sistemit të sigurisë në Evropë, ETIAS, për të cilën u raportua se u paraqit si kushtëzim për liberalizim vizash deri në funksionalizim të tij.
Në lidhje me këtë lajmi.net kontaktoi njohësin e politikave të BE-së, Arben Fetoshin, i cili mohoi se mund të shihet si kusht.
“ETIAS-i nuk e afekton kohën hiç, mos u brengosni për këtë punë. Kërkesa ka të bëj me diçka tjetër, nuk do të thotë që e shtynë këtë punë. Nëse ka vullnet politik kjo punë kryhet shpejt, nëse jo deri kah pranvera e ardhshme s’kryhet”, tha ai.
Discussion about this post