Shkarkimi i Vjosa Osmanit nga pozita e nënkryetares dhe anëtares së kryesisë ka thelluar përçarjen brenda Lidhjes Demokratike.
Mbështetur në votimin online, gati gjysma e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm nuk janë pajtuar me propozimin e kryetarit Mustafa për ta shkarkuar Osmanin dhe vendosjen e kryeministrit Avdullah Hoti në vend të saj, që deri tani ishte pa post të lartë partiak,
Sipas letrës së kreut të LDK-së drejtuar anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, Osmani u shkarkua me 70 vota pro, nga 95 sa kishin votuar në Këshillin e Përgjithshëm. 16 janë shprehur kundër, e nëntë kishin abstenuar.
28 nuk kanë marrë pjesë në votim.
Përveç njoftimit me rezultatin e përgjithshëm, Zyra për media e LDK-s nuk ka ofruar të dhënat se kush ka votuar pro, kundër, ata që kanë abstenuar dhe të tillët që nuk ka marrë pjesë në votim.
Në një përgjigjeje për KOHËN, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se votimi është proces i brendshëm dhe se mund të garantojë vetëm për të dhënat e publikuara të shtunën mbrëma.
“Votimi është një proces i brendshëm demokratik. E drejtë individuale e çdonjërit. Unë garantoj vetëm për saktësinë e të dhënave që janë raportuar mbrëmë, si rezultate të përgjithshme të votimit”, ka thënë Mustafa.
Por, nga burime brenda LDK-së, Koha merr vesh se në mesin e atyre që kanë votuar kundër shkarkimit të Osmanit janë edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, pastaj ministri Anton Çuni, e deputetët Ardian Shala, Fatmir Rexhepi, Valentina Bunjaku dhe Faton Bislimi.
Ndërkaq, Vjosa Osmani i ka falënderuar 53 anëtarët e Këshillit që nuk u bënë pjesë e, siç ka thënë ajo, “diferencimit politik”. Ajo u ka çuar porosi atyre që iniciuan dhe votuan shkarkimin e saj se shumë shpejt do të ballafaqohen në garën zgjedhore.
“Gara e vërtetë është para qytetarëve, edhe pse shumica dërmuese prej jush diferencues, jeni aq frikacakë sa nuk do të guxoni të dilni në atë përballje, por sërish do të fshiheni prapa dikujt tjetër. Por, përballja e madhe do të ndodhë. Mua më ka ngritur populli dhe vetëm ai do të mund të më rrëzojë”, ka shkruar ajo.
Përveç Osmanit, janë edhe disa deputetë të cilat u ballafaquan me kritika brenda partisë për shkak të qëndrimeve ndryshe prej kryesisë.
Deputeti Haxhi Avdyli thotë se kryetari i LDK-së i bëri llogaritë gabim kur mendoi se Osmani dhe të tjerët do të largohen vetëm nga partia. Sa i përket të ardhmes, Avdyli ka paralajmëruar betejë brenda LDK-së dhe vendimmarrje në përputhje me vullnetin e elektoratit, megjithëse e pranon se do të jetë vështirë.
“…Tani ne, bashkë me njerëzit që na kanë votuar do të ulemi, do të shqyrtojmë të gjitha opsionet, normalisht njerëzit janë shumë të indinjuar me këto veprime dhe kanë kërkesa të shumta që ne të vazhdojmë rrugëtimin brenda LDK-së, por hapësira është me të vërtetë e ngushtuar, sepse qëllimi i tyre ka qenë për t’u larguar ne”, ka thënë Haxhiu.
Avdyli ka shtuar se dyshon që Mustafa po bën spastrime brenda partisë, për t’ia siguruar edhe një mandat presidentit Hashim Thaçi, të cilin LDK-ja e kishte votuar edhe në vitin 2016.
Thaçit i përfundon mandati pesëvjeçar në prill të vitit të ardhshëm, por deri tani ka mohuar të ketë pretendime edhe për një mandat tjetër.
Discussion about this post