Milan Stamatoviq, kryetari i partisë “Zdrava Srbija” (Serbia e Shëndetshme), ka kërkuar që Serbia t’i dërgojë forcat e saj ushtarake në Kosovë.
Në një emision televiziv në televizionin publik serb RTS Stamatoviqi, që është edhe kryetar i komunës Çajetin, ka thënë se kjo duhet bërë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Thirremi në Rezolutën 1244, e cila thotë se mund të kthejmë 1 mijë ushtarë dhe policë. Nuk e di përse shteti nuk mundet ta bëjë këtë”, ka thënë Stamatoviqi
Ai shtoi se nuk do të ishte e pranueshme që Serbia të hiqte dorë nga 17% e territorit të saj (duke iu referuar Kosovës) për hyrjen në BE, duke përmendur shembullin e Korsikës.
“Atje keni më shumë italianë sesa francezë. A mund t’i thotë dikush Macronit se ajo pjesë i takon Italisë”, ka pyetur ai.
Ai tha se partia e tij do ta zbatonte konceptin e funksionimit të Serbisë me kantone, rrjedhimisht “idenë e dikurshme të rajoneve që e shkatërroi Dinkiqi”, koncept që, sipas Stamatoviqit, do t’i kënaqte të gjithë.
Discussion about this post