Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, tash e disa ditë gjendet për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku prej atje ka folur për takimet me zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit dhe me përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan.
Thaçi ka thënë se në qendër të takimeve ishte përfundimi i dialogut Kosovë-Serbi me njohje të ndërsjellë.
“Mund të them se pas vizitës që kisha javën e kaluar në Bruksel ku diskutova me të ngarkuarin special të Bashkimit Evropian për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, ishte e nevojshme dhe e domosdoshme që të jem edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë që në këtë fazë të dialogut Kosovë-Serbi por edhe hapave tonë të mëtutjeshëm për integrime euroatlantike të jemi në Washington dhe kisha kënaqësinë e veçantë që të bashkëbisedojë me zyrtarët e Departamentit të Shtetit dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë së SHBA-së për hapat që duhet t’i ndërmarrë Kosova aktualisht por edhe në të ardhmen”, u shpreh Thaçi për RTV21.
“Mund të them lirisht se SHBA-ja vazhdon ta mbështesë fuqishëm Kosovën në zhvillimet e brendshme, në stabilitetin institucional, në prioritetet që kemi ne si shtet dhe Kosova do të vazhdojë të mbetet aleati më besnik i SHBA-së në rajonin tonë”, shtoi i pari i vendit.
Thaçi thotë se në Bruksel dhe në SHBA kërkoi që dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë të ketë vetëm një rend dite, çështjen e njohjes reciproke në mes të dy vendeve.
Discussion about this post