|Ish-kryeministri i Kosovës, e shefi i LVV’së, Albin Kurti po vazhdon që të shoqërohet nga mbrojtja e afërt në të gjitha paraqitjet dhe me veturat e shtetit të njohura si SUV.
Vetë Kurti që si opozitar lëvizte me një makinë të tipit Volvo, kur ishte zgjedhur në krye të ekzekutivit pati thënë se një gjë e tillë ndodh vetëm për të respektuar protokollin, mirëpo, në partinë e tij nuk kanë sqaruar të pyetur nga Express se pse Kurti po shoqërohet çdo ditë nga eskorta e afërt, edhe pasi që u rrëzua nga posti i kryeministrit.
Me të marrë detyrën e të parit të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, me datë 3 shkurt të këtij viti, ishte rrethuar nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës, pjesë e mbrojtjes së afërt të cilët me veturat e shtetit e kanë shoqëruar në cdo dalje nga shtëpia dhe zyra.
Tash kur kanë kaluar më shumë se pesë muaj prej kur Kurti mori postin e të parit të ekzekutivit, e pastaj u rrëzua nga kjo pozitë, mbrojtja e afërt është ende duke e shoqëruar në aktivitete e të gjitha paraqitjet publike.
Vetë lideri i Vetëvendosjes, ish -kryeministri i Kosovës, kishte thënë se nuk e ka të nevojshëm shoqërimin, e se vetëm po respekton rregullat.
“Nuk e di çka të ju them, unë e di që ky është rregull më parë se është nevoja ime, unë do ta respektoj rregullin”, kishte thënë Kurti pasi që ishte zgjedhur kryeministër, në shoqërimin e parë nga mbrojtja e afërt.
Në partinë e Albin Kurtit nuk janë përgjigjur në pyetjet e Gazetës Express se pse Kurti po vazhdon që të shoqërohet nga mbrojtja e afërt, ani pse vetë nuk e kishte preferuar një veprim të tillë.
Vetëvendosje nuk ka folur edhe nëse kjo po ndodhë pas kërcënimit që mori shefi i kësaj partie, nga “Garda Vullnetare Shqiptare”.
Kurti kishte bërë të ditur para tri javëve në Facebook se ka pranuar një kërcënim nga “Garda Vullnetare Shqiptare”. Ai e kishte publikuar edhe komunikatën e lëshuar nga kjo gardë, ku thuhej se nuk do të qëndrojnë duarkryq karshi veprimeve të LVV’së.
“Albin Kurti dhe të gjithë udhëheqësit e LVV që ndihmojnë në organizimin e kësaj proteste, tanimë kanë arsye të shqetësohen për sigurinë e tyre dhe të familjarëve të tyre nga njësitet e Gardës”, shkruhet në këtë komunikatë, ku paralajmërohen aksione në tërë territorin e Kosovës.
Të pyetur nga Gazeta Express, në Policinë e Kosovës kanë njoftuar se me rastin tashmë po merret Prokuroria Speciale.
Megjithatë, në Prokurori nuk kanë folur të pyetur për gazeta, nëse dikush është marrë në pyetje për këtë çështje, apo nëse është identifikuar se kush qëndron prapa kësaj garde, që doli në sipërfaqe për herë të parë pas kërcënimit ndaj Kurtit./GazetaExpress/
Discussion about this post