Vdekja e 488 personave në Kosovë si pasojë e Koronavirusit deri më sot (26 gusht 2020), ka bërë që të ngrihet alarm për një shifër kaq të lartë të vdekshmërisë për kokë banori. Shumë kritika kanë filluar të adresohen për mënyrën e trajtimit të pacientëve të infektuar, se a është e duhura apo jo?
Ekspertët e shëndetësisë vlerësojnë se ndër shkaktarët kryesorë për këto shifra të frikshme të vdekshmërisë është mungesa e anesteziologëve dhe infektologëve të specializuar për mjekësisë intensive, por edhe mospërvoja e tyre për t’u ballafaquar me situata të tilla.
Infektologu Ilir Tolaj thotë për Syri.net Kosovën, se trajtimi i pacientëve me COVID-19 kryesisht bëhet sipas rekomandimeve bazike, pasi kemi mungesë të disa barnave që kanë rezultate pozitive për luftimin e kësaj sëmundjeje.
“Trajtimi i pacientëve me Covid-19 në Kosovë, sipas njohurive që kam, kryesisht bëhet sipas rekomandimeve më bazike për mjekimin e të sëmurëve me sëmundjen Covid-19. Po them bazike, sepse te ne nuk janë siguruar disa barna, si Remdesvir, i cili po thuhet se ka një efekt pozitiv në uljen e përqindjes së vdekjeve ndër të sëmurët e rëndë me Covid-19, apo Favirapir që ka efekt të mirë nëse jepet në fillim të sëmundjes; ndërsa disa barna të tjera si Tocilizumab, nuk janë bërë pjesë standarde e mjekimit.”
“… Mjekimi i rasteve me Covid-19 është një ndërmarrje jashtëzakonisht komplekse. Pacientët duhen përcjellë që nga fillimi, për përkeqësimin eventual të gjendjes që mund të identifikohet ose përmes parametrave laboratorikë ose përmes shenjave klinike. Mbikëqyrja e pacientëve me Covid-19, posaçërisht tek ata që janë në fazën e sëmundjes ku kemi “furtunë të citokineve”, duhet të jetë e vazhdueshme. Në rast se kjo nuk arrihet, atëherë edhe përkeqësimi i gjendjes është më se i mundshëm, ndërsa vdekja rezultat i këtij përkeqësimi”.
Kurse ish-drejtori i Klinikës Infektive, dr. Hamdi Ramadani, në prononcimin e tij për Syri.net Kosovën, thotë se nuk mund të flasë me shifra pasi nuk ka të dhënë të saktë se si janë trajtuar pacientët me COVID-19, meqenëse shumë prej tyre ka pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
“Fillimisht shumë nga të vdekurit janë raportuar se kanë qenë me sëmundje të tjera, pra paraqiten se kanë vdekur me COVID-19 dhe sëmundje të tjera e jo vetëm nga COVID-i. Andaj edhe rastet duhet të ndahen se çfarë grupi i përkasin. Kjo ndodh edhe në vendet e tjera ku raportohet për vdekshmërinë se a kishte apo jo sëmundje të tjera përveç virusit. Më duhet të sqaroj se unë nuk i kam të dhënat e këtyre rasteve, por as historinë e pacientëve të vdekur. Nuk kam ndonjë të dhënë as se çfarë terapie kanë marrë, si janë anal apo raste me ndërlikime që mund të favorizojë vdekjen e pacientëve. Së dyti, pacientët mund të vdesin edhe vetëm nga infektimi me COVID-19, pasi kemi parë që virusi jep komplikime të rënda në disa raste tek sistemi respirator me pneumoni të rëndë, pastaj në aparatin urogjenital, në veshka e në zemër si dhe në sistemin nervor qendror, andaj kjo bën që të jetë vdekjeprurës për pacientin.”
“…Nuk di që ka pasur protokoll dhe di a janë diku të paraqitura se me çfarë është trajtuar çdo rast apo grup. Një gjë jam i sigurt që mjekët kanë bërë më të mirën për të sëmurët. I njoh nga afër, janë mjekë e specialistë dikur ish-bashkëpunëtorë të mi” – thotë Ramadani.
Për anesteziologun-intesivist, dr. Hysen Hyseni, më shumë ka të bëjë vonesa në trajtim të rasteve se sa terapia adekuate apo jo. Shumë pacientë hezitojnë të kërkojnë ndihmë dhe në këtë formë kemi mosfunksionim të zinxhirit mbrojtës ndaj COVID-19.
“Përgjithësisht mund të them se si pasojë e mosfunksionimit të zinxhirit mbrojtës ndaj COVID-19 vdekshmëria është më e madhe. Fillimisht është arritur në mendësinë e popullatës të futet frika e pastaj qytetarët tanë nuk treguan respekt ndaj udhëzimeve profesionale për profilaksi ndaj COVID-19. I prekuri zakonisht vonohet në trajtim pasi nuk lajmërohet tek mjeku primar – familjar, mjeku e vonon, e kthen në shtëpi, pastaj në shtëpi nuk u përmbahet rregullave të izolimit por shkon në ahengje e të pame, del nëpër kafeteri nuk mban distancë me turma, gjendja i përkeqësohet dhe shkon me vonesë në klinikë e aty “ku ka vende të lira”. Humbja e kohës bën që pastaj situata të rëndohet dhe pacienti të mbarojë në hapësirat për trajtim brenda Klinikës Infektive, Intensive ose në hapësirat e Mjekësisë Sportive, të dedikuara për trajtimin e pacientëve me Koronavirus ku janë edhe një numër i respiratorëve. D.m.th që nga i prekuri e deri në MIQ pacienti vonohet. Mirëpo po e rithem, një pjesë e fajit mbetet edhe te pacienti i cili ka simptoma por mbetet në shtëpi e që fatkeqësisht ai është shpërndarësi më i madh i virusit. Duke e njohur mendësinë tonë, aty pastaj në shtëpi shkojnë të afërm për vizita dhe nuk ka aspak kujdes dhe së dyti nga frika për të shkuar në klinikë mendon se do t’i kalojë por ai në fakt vetëm sa e vonon observimin dhe kurimin e tij e në këtë formë i shkakton vetes vetëhumbjen (vdekjen)” – shprehet Hyseni për Syri.net Kosovën.
Dobësia më e madhe e shëndetësisë kosovare rreth trajtimit të pacientëve, sipas Tolajt, është mungesa e një sistemi të mjekimit intensiv efikas dhe numri i ulët i anesteziologëve të cilët po merren me rastet e rënda.
“Mungesa e një sistemi të mjekimit intensiv efikas dhe funksional dhe paaftësia për ta improvizuar/rindërtuar një të tillë brenda kësaj kohe është shkaku kryesor i këtij numri kaq të madh të vdekjeve në Kosovë. Nuk ka arsye tjetër. Funksionimi i sistemit tonë shëndetësor është i fragmentarizuar, nuk vepron si një tërësi. Çdokush vepron kokë më vete. Kështu humbet koha jashtëzakonisht e nevojshme për reagimet e shpejta për mjekimin e këtyre të sëmurëve.”
“…Politika dhe menaxhmenti i sistemit shëndetësor në Kosovë nuk ka bërë mjaftueshëm, qoftë nga neglizhenca ose mosdija, as para pandemisë e as gjatë kohës së pandemisë për t’i përmirësuar kushtet për mjekimin adekuat të këtyre të sëmurëve. E gjithë pesha e mjekimit të rasteve të rënda ka rënë mbi një numër të kufizuar anesteziologësh, të cilët madje as që e kanë thirrje primare trajtimin e rasteve të rënda me Covid-19, meqë nuk janë specialistë të mjekësisë intensive. Kosova nuk ka asnjë specialist të kësaj fushe dhe gjithashtu, as tash, kur është hapur konkursi për specializim, nuk është parë e udhës që t’i kushtohet kujdes kësaj lëmie mjekësore. Specializantët tanë janë duke marrë aftësim të mangët specialistik, në të gjitha sferat. Asnjë prej tyre, në 20 vitet e fundit nuk e ka pasur të obliguar që bile vitin e fundit të edukimit specialistik ta bëjë jashtë Kosovës e rajonit. Kur është fjala për pandeminë, përgjegjësit është dashur të pranojnë se mundësitë tona për mjekimin e këtyre të sëmurëve janë të kufizuara dhe të kërkojnë ndihmë nga jashtë lidhur me këtë” – deklaron Tolaj për Syri.net
Njëson mendon edhe anesteziologu Hyseni, i cili potencon faktin se mosnjohuria e mjaftueshme nga infektologëve për të punuar me respiratorë, por edhe mungesa e anesteziologëve intensivë ka bërë që gjendja të rëndohet.
“Nga fillimi i paraqitjes së pandemisë SARS COV-2 dhe emërtimit si COVID-19 është bërë një vonesë në zgjedhjen e hapësirave të përshtatshme për trajtimin e rasteve serioze e të rënda. Është zgjedhur fillimisht Klinika Infektive dhe mjekimi i kësaj klinike për t’u trajuar. Në këtë klinikë fatkeqësisht infektologët nuk janë të mjaftushëm profesionalisht të përgatitur për të punuar me respiratorë. Aty në fillim u mbështetën nga një numër i vogël i anesteziologëve të cilët e kishin të pamundur të qëndrojnë fizikisht ku kërkohej një punë intensive. Shtojmë faktin për shtimin e hapësirës në Mjekësinë Sportive, kur nevoja për të plotësuar numrin e anesteziologëve e teknikëve të përgatitur për mjekim intensiv ka qenë e vogël. Vdekshmëria tek ne, si në rajon, ka qenë për shkak të formimit të mikrotombeve dhe trombeve si pasojë e COVID-19, e cila është vërejtur nga ana e mjekëve kinezë e italianë pasi u bë obdukimi i rasteve ku automatikisht u futën në antikoagulantet”.
Tutje Hyseni jep edhe detaje të tjera rreth dështimit të menaxhimit të situatës në mënyrë profesionale.
“…Ajo që vlen të ceket është se MSH që nga fillimi i ka lënë anash gjithë punën e madhe të anesteziologëve dhe intensionistëve, duke mos i përkrahur e as hapësirë mediale nuk u është dhënë. Duhet cekur se në Mjekimin Intensiv dhe Mjekësinë Sportive ekziston një defekt i përcjellë nga fillimi, nuk është punuar me staf profesional në edukimin intensiv për të punuar në MIQ (Mjekimin Intensiv Qendror) shto faktin këtu edhe të stafit të mesëm për mosedukim të duhur e që janë dërguar sa për të thënë në ndërrim në MIQ e hapësirat intensive paraqet gabimin më të madh në menaxhimin profesional për t’i ndihmuar rastet e rënda në MIQ. Tutje MIQ i klinikës është i mbyllur hermetikisht, s’mund të hapen dritaret, filtrat duhet të ndërrohen sipas kërkesave të ventilimit në MIQ sepse ajri duhet të ndërrohet dikur deri 20 herë për një orë. Ky është një detaj i rëndësishëm për infeksionet në përgjithësi.
Edhe infektologu Ramadani thotë se mungesa e mjekëve specialistë intesivistë ka bërë të kemi këto shifra. Ai akuzon edhe Qeverinë për mosmenaxhim të mirë të pandemisë.
“Juve e dini që në Kosovë nuk kemi mjekë specialistë intensivistë që janë adekuatë për trajtimin e rasteve të rënda e me intubim,që janë ekspertë të kësaj fushe strikte infektologjike, por edhe punën me respiratorë. Kjo është brengosëse shumë, pasi kjo mund të ketë ndikuar në ecurinë e rasteve intensive. Ndërsa rastet trajtohen nga anesteziologët që nuk janë të përgatitur për këtë fushë infektive. Nuk e kanë përvojën e duhur në këtë lëmi specifike. Vendet e tjera në rajon e me gjërë kanë mjekë intensivistë vetëm për këtë patologji. Pastaj është edhe problemi me terapi dhe përdorimin e tyre, evoluimi i gjendjes etj. Qasja me pandeminë nuk ka shkuar mirë ka pasur shumë të meta, kjo e vërteton me numrin e madh të rasteve për çdo ditë. Numri i madh i të vdekurve e që po rritet dita-ditës ku vetëm sot kemi afër 500 persona e bënë tejet shqetësuese situatën. Nëse ndalemi, shohim shtabin e krizës për strategji për koronavirus është ndërruar nuk ka qenë i koordinuar mirë. Madje u ndërrua edhe Qeveria, kinse për menaxhim më të mirë të pandemisë gjë që nuk ka ndodhur. ShSKUK ka shkarkuar drejtorin, ka vendosur një u.d drejtor në kohë pandemie. Është ndërruar edhe Bordi i ShSKUK-së bashkë më të edhe shtabi emergjent. Kjo tregon që nuk është punuar drejt dhe në koordinim të duhur. Andaj edhe kjo mund të jetë arsye në rritjen e numrit të të infektuarve dhe vdekjeve. Në këtë mënyrë jemi vendi me menaxhimin ose keqmenaxhimin më të dobët në rajon e Evropë”.
Por anesteziologu Hyseni thotë se nuk duhet parë vetëm njërën anë, pasi edhe në vendet në rajon nuk janë reale me shifrat për vdekshmërinë nga COVID-19.
“Të dhënat dhe statistikat rreth vdekshmërisë në rajon e botë nga COVID-19 nuk janë të sakta, bile kemi laramani të dhënash. Shumë shtete nuk i japin shifrat e sakta, sepse nuk do të thotë se një i vdekur që ka qenë i prekur me Koronavirus ka qenë shkaktari kryesor. Fatkeqësisht është krijuar përshtypja që rastet e intubuara shumë pak mbijetojnë e vetëm një numër i vogël është esktubuar e kuruar dhe ka shpëtuar nga numri total i të vdekurve” – përfundon Hyseni për Syri.net Kosovën
Në vendin tonë rastet e para me Koronavirus u shënuan në mars dhe nga atëherë janë shënuar mbi 12 mijë të infektuar e që fatkeqësisht deri tani janë mbi 400 viktima.
Debatin për vdekjet nga COVID19 i ndezi dy ditë më parë ish-sekretari i MSH-se dhe infektologu, Ilir Tolaj deklaroi se vdekjet nga Covid 19 në Kosovë po shkaktohen nga sistemi joadekuat në mjekimin intensiv në spitalet e Kosovës. Pas kësaj deklarate ka pasur reagime të shumta nga institucionet shëndetësore në vend. Madje po kërkohet që ndaj tij të merren masa edhe nga ana e institucioneve hetimore në vend.
Pas SHSKUK-së sot gjatë ditës ka reaguar edhe Oda e Mjekëve të Kosovës.
Nga Oda e Mjekëve ka thënë se këto deklarata të Tolajt vijnë në kohën kur mjekët në Kosovë po infektohen dhe po vdesin nga Covidi. OMK ka deklaruar se Tolaj me deklaratën e tij i ka baltosur mjekët dhe i ka bërë vrastarë duke ulur reputacionin e tyre në shoqëri./Syri.net Kosova
Discussion about this post