Bajram Qerkini, përfaqësues i Shoqatës së Familjarëve të Personave të Zhdukur në Mitrovicë, ka pasur kritika të ashpra për kryeministrin Albin Kurti, të cilin e akuzoi se s’ka bërë asgjë prej që ka ardhur në qeverisje për personat e pagjetur.
Në një intervistë në “60 Minuta” të KTV-së, Qerkini ka thënë se “Kurtit duhet t’i vijë marrë t’u dalë përpara familjarëve të të pagjeturave”, pasi sipas tij, “nuk ka bërë asgjë për ta deri tash”. Ai pati kritika edhe për kryesuesin e Komisionit qeveritar për personat e pagjetur, Andin Hoti.
“Më vjen keq që kryesues i komisionit për të pagjeturit është djali i Ukshin Hotit. Në fillim iu kam thënë se nëse e keni vendos djalin e Ukshinit për të mos kritikuar, i kam thënë se unë do ta mbroj të vërtetën. Ai është bllokuar, por as po nuk po mundet me shty procesin përpara sepse Albin Kurtin s’bën me kritiku. Në takim me Andinin, ai vetë më ka thënë që duhet ta mbrojë edhe Qeverinë. Kurtin e ka kapluar ajo se çfarë kanë partitë e tjera. Por o zotëri, ti çka ke bërë, ti çka ke bërë për këta persona? Mua më kish ardhur marre me qenë si Kurti e me iu dalë përpara familjarëve të të pagjeturve”, ka thënë Qerkini.
Ai tutje u shpreh se nuk kanë fare komunikim me Kryeministrinë, duke e akuzuar edhe zëvendësministrin Besnik Bislimi se s’ka çka komunikon, pasi siç ka thënë ai, nuk kanë bërë asgjë.
“Qeveria ka dështuar total. Bislimi e ka marrë detyrën që do të flasë për këtë çështje. Ai nuk e ka mbajtur as grupin punues e as komisionin qeveritar. Sepse s’ka çka flet, brenda në Kosovë nuk ka bërë kurrgjë. Një takim nuk e ka mbajtur me familjarët e të të pagjeturve. Një herë e pata takuar kur e kam kritikuar, më pati thënë se derën çelë e ki sa herë që do dhe kurrë s’e kam pa më”, ka thënë Qerkini.
Qerkini ka thënë se Serbisë duhet t’i vendoset kusht që pa u zbardhur çështja e të pagjeturve nuk do të negociohet. Se çështja e personave të pagjetur do të jetë numër një, Qerkimi thotë se ia ka premtuar edhe emisari i BE-së, Mirosllav Lajçak.
“Fjalët janë krejt tjera dhe punët janë krejt ndryshe”, ka thënë ai.
Qerkini nuk ka besim se me këtë qeveri do të zgjidhet çështja e të pagjeturve.
Në Kosovë, 1617 persona figurojnë ende të pagjetur që nga lufta.