Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të dështuar në qeverisjen e brendshme dhe politikën e jashtme, 100 ditëshin e punës së qeverisë të udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti.
“Kjo periudhë e qeverisjes u karakterizua me dështim në menaxhimin e pandemisë, ku Kosova shënoi ndër rastet më larta në botë sa i përket numrit të të infektuarve dhe të vdekurve për kokë banori. Kosova u fut në listën e zezë të udhëtimeve të qytetarëve tonë nga shumica e vendeve të rajonit dhe ato evropiane”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.“Krahas kësaj, Qeveria Hoti dështoi t’i dalë në ndihmë ekonomisë dhe qytetarëve të vendit duke mos përmbushur as për së afërmi premtimet për rimëkëmbje ekonomike. Mijëra punëtorë po rrezikojnë vendet e tyre të punës, ndërsa qindra biznese janë afër kolapsit si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia dhe paaftësisë së kësaj qeverie. Qytetarët e Kosovës po varfërohen çdo ditë e më shumë”.
PDK thotë se premtimet për ndarjen e fondit mbi 1 miliard euro për tejkalimin e krizës kanë mbetur në letër nga Qeveria Hoti, e cila nuk ka as vizon dhe as vullnet për t’u marrë me këtë problematikë.
“Në 100 ditë, Qeveria Hoti dështoi në përgatitjet për rifillimin me kohë të mësimit më 1 shtator duke krijuar konfuzitet të madh në mesin e shumë prindërve e mësimdhënësve. Me këtë qasje, kjo qeveri po rrezikon të ardhmen e mijëra fëmijëve të Kosovës, të cilët ka mbi pesë muaj që janë shkëputur nga mësimi i rregullt. Edhe rifillimi i mësimit i paralajmëruar më 14 shtator ka rrezik të dështoj sepse mungojnë përgatitjet e instruksionet si të veprohet në kushtet e pandemisë”.Për shkak të përplasjeve e kërcënimeve të vazhdueshme brenda partnerëve të koalicionit, partia e Kadri Veselit thotë se kjo qeveri e ka besimin shumë të ulët dhe se qytetarët po zhgënjehen çdo ditë.
“Dështimi në qeverisjen e brendshme u karakterizua me dështimin në politikën e jashtme javën që shkoi, ku delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga Kryeministri Hoti, humbi shansin historik për arritjen e një marrëveshje me njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington. Nga përplasjet e brendshme fisnore të anëtarëve të delegacionit, u pranua të ndahet pronësia për Liqenin e Ujmanit me Serbinë; u lejua të negociohet për pasuritë kombëtare të Kosovës dhe u rrezikuan interesat strategjike të vendit”.Ndërkaq, thotë se Qeveria Hoti dështoi të përmbushë pritjet e qytetarëve për arritjen e një marrëveshje historike finale duke rrëshqitur gradualisht drejt temave teknike me Serbinë.“Ajo është e dobët, aspak transparente dhe pa kurrfarë mbështetje legjitime qytetare për të qeverisur me Kosovën”.
Discussion about this post