Analisti i çështjeve politike dhe juridike Vigan Qorrolli, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk mund të bëhet pa fituesin e zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizjen Vetëvendosje.
Ai ka thënë se partia politike ose koalicioni që ka fituar shumicën në Kuvend, e nënkupton partinë e çertifikuar nga KQZ, me numrin më të madh të deputetëve në Kuvend.
Qorrolli ka theksuar se Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk mund të thotë se partia fituese i ka kaq ditë në dispozicion për t’ju përgjigjur Presidentit të Republikës.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese nuk mund të krijojë normë të re në asnjë mënyrë, pasi që asaj i takon ta interpretojë vetëm aktin e Presidentit të Republikës – i cili me Dekretin 24/2020 nuk e mandatoi partinë që e ka fituar shumicën.
Ai ka thënë se rruga e ndryshimit të normës kushtetuese bëhet sipas procesit të njohur të amendamentimit të saj nga institucioni prej të cilit buron: Kuvendi. Këtë procedurë e rregullon neni 144 i Kushtetutës.
Postimi i plotë i Qorrollit në Facebook:
GJYKATA KUSHTETUESE NUK KA AUTORIZIME KUSHTETUTBËRËSE!
- Çfarë është objekt i interpretimit kushtetues pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës? Objekti i shqyrtimit të kësaj Gjykate është Dekreti i Presidentit të Republikës së Kosovës nr. 24/2020 me të cilin z. Avdullah Hoti, i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës si kandidat për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës.
- Aktiviteti praktik i interpretimit të Gjykatës është teksti origjinalist i Kushtetutës së Kosovës, të hyrë në fuqi me 15 qershor 2008. Neni 95, paragrafi 5 i Kushtetutës, përcakton shprehimisht:
“Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë.”
III. Ky përcaktim origjinalist i kushtetutbërësit (Kuvendit) mbi formulimin e rreshtit të katërt: “në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka FITUAR (…)” nënkupton qartësisht se Qeveria e Kosovës NUK MUND të bëhet pa fituesin e zgjedhjeve. Partia politike ose koalicioni që ka FITUAR shumicën në Kuvend, e nënkupton partinë e çertifikuar nga KQZ, me numrin më të madh të deputetëve në Kuvend. Subjekti politik, Lëvizja Vetëvendosje, sipas rezultatit zgjedhor të 6 tetorit 2019, e ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend.
- Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në identitetin e saj, tashmë të etabluar 12 vjeçar, e ka interpretuar normën kushtetuese në disa raste sipas doktrinës së “pouvoir regulateur”, pra të një pushteti rregullator.
Kushtetuta e Kosovës i përket grupit të kushtetutave liberale dhe Gjykata Kushtetutese si interpretuesi përfundimtar i saj, është e obliguar ta ndjek gjuhën e tekstit autoritativ. Rëndësia e gjuhës së tekstit origjinalist është e pamohueshme.
Besnikëria e mirëfilltë në togfjalëshin e paragrafit 5 të nenit 95, për partinë ose koalicionin që ka FITUAR shumicën – i obligon gjyqtarët kushtetues t’i përmbahen origjinalit si ndjenjë e respektit thelbësor të kushtetutbërësit që e promovon fituesin e zgjedhjeve për formator të qeverisë.
- Vetëm dhe ekskluvisht në SHBA vlejnë Federalist Papers, si bazë për interpretimin kushtetues nga Gjykata Supreme e ShBA-ve, meqë këtë detyrë e kryen ajo në këtë shtet. Në sistemin kontinental (Evropë) dokumentet përgatitore “travaux preparatoires” nuk kanë asnjë relevancë për gjyqtarët dhe gardianin e kushtetutës – Gjykatën.
Gjykata jonë kushtetuese nuk mund të ndërhyjë në tekste joautentike, se çka ka thënë njëri ose tjetri anëtar i Komisionit Kushtetues në vitet 2007-2008. Kapitujtë II dhe III të Kushtetutës, të bartura “copy-paste” nga Pakoja e Ahtisaarit, vallë a do mund të intepretoheshin sipas modelit të atyre dokumenteve përgatitore të Komisionit? Nuk e ka këtë autorizim Gjykata, prandaj ato dokumente përgatitore nuk paraqesin një burim juridik të vlefshëm juridik për interpretimin e Kushtetutës tonë.
VII. Ati themelues i gjyqësisë kushtetuese dhe kryetari i parë i një Gjykate Kushtetuese në botë (asaj austriake) profesori vjenez, Hans Kelsen, thotë se, “(…) edhe nëse gjyqtarët kushtetues bëjnë ligj, ata nuk e bëjnë këtë lirshëm, pasi vendimmarrja e gjyqtarëve është ‘absolutisht e përcaktuar me kushtetutë’. Prandaj, një gjykatë kushtetuese e ka vetëm rolin e “një ligjvënësi negativ”.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk mund të krijojë normë të re në asnjë mënyrë, pasi që asaj i takon ta interpretojë vetëm aktin e Presidentit të Republikës – i cili me Dekretin 24/2020 NUK e mandaton partinë që e ka FITUAR shumicën.
Rruga e ndryshimit të normës kushtetuese bëhet sipas procesit të njohur të amendamentimit të saj nga institucioni prej të cilit buron: Kuvendi. Këtë procedurë e rregullon neni 144 i Kushtetutës.
VIII. Gjykata nuk mund të thotë se partia fituese i ka kaq ditë në dispozicion për t’ju përgjigjur Presidentit të Republikës, që me modelin tonë kushtetues ka “Pouvoir Neutre” – ose Pushtet Neutral, sipas definimit të juristit dhe filozofit gjerman, Carl Schmitt.
Sistemin që e ndjek Republika është ai i jurisdiksionit ekskluziv të sistemit të centralizuar të kontrollit kushtetues, dhe kjo nënkupton se ajo nuk mund të interpretojë norma të paqena (inekzistente). Kushtetuta është e heshtur për afatin e përgjigjes dhe Gjykata nuk mundet me aktgjykim ta tejkalojë normën kushtetuese. Në shoqëri të pjekura demokratike, kjo “heshtje” kushtetuese tejkalohet me konsensus politik. Partia fituese e zgjedhjeve, sipas praktikës parlamentare dhe rregullave të demokracisë, brenda një periudhe të arsyeshme kohore duhet t’ia paraqes kandidatin Presidentit të Republikës.
- Afati i arsyeshëm kohor sipas jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasbourg definohet ajo kohë e cila është mjaft e nevojshme, e përshtatshme, për të bërë gjithçka që kërkohet të bëhet, sa më shpejt që rrethanat e lejojnë. As nuk mund të jetë 10 ditë, por as 10 muaj.
- Praktika e GjEDNj në Strasbourg e përcakton afatin e arsyeshem kohor, në atë menyrë kur një lëndë e shqyrtimit gjyqësor duhet proceduar në kohë të arsyeshme. Kësisoji, Gjykata gjithmonë fillon me përcaktimin e pikës fillestare (dies a quo) dhe përfundimin (dies ad quem) e periudhës që do të konsiderohet si e vlefshme.
Gjykata Kushtetuese nuk mund ta përcaktojë afatin në asnjë mënyrë, sepse Kushtetuta nuk është Kod Penal të sanksionojë afate brenda të cilave palët duhet t’i kryejnë obligimet e tyre ndaj ligjit. Ajo është një dokument themeltar i shtetit ku parimet bazë të shtetit definohen si rregulla të mishëruara të një demokracie parlamentare kushtetuese.
Discussion about this post