Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se ka zhvilluar disa takime me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin në lidhje me çështjen e pozitës së presidentit, shkruan Gazeta Metro.
Haradinaj tha se ka pasur një përafrim të madh në momentet e fundit me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e PDK’së, Kadri Veseli për çështjen e presidentit.
Ai tha se ishte afër një marrëveshje me Thaçin e Veselin, por ishte koha ajo që nuk ju mundësoi dhe ngritja e aktakuzës nga Gjykata Speciale.
Kreu i AAK’së tregon se qysh në ditën kur Veseli udhëtoi për në Hagë, ata kishin planifikuar një takim mes vete për çështjen e presidentit.
“Disa here kemi zhvilluar takime, unë kam treguar kujdes me Thaçin e Veselin, unë edhe atyre ja kam prezantuar kandidaturën time për president dhe rrugën time”, tha Haradinaj.
“Kemi pasur një përafrim në momentet e fundit, kemi pasur një përafrim të madh, në proces kemi qenë afër me përmbyll një marrëveshje me presidentin Thaçi dhe z.Veseli, kam pas thënë edhe njëherë se përafrimi jonë ka qenë më i ngadalshëm se koha që kishim, pra ne kemi pasur të parapamë edhe ditën që udhëtoi kryetari Veseli kemi pasur një takim, mirëpo ai nuk u realizua, unë kam vazhduar kontaktet edhe me udhëheqësit tani të PDK’së, me Enver Hoxhajn, me Uranin, me Samin”, tha Haradinaj, transmeton Gazeta Metro.
Haradinaj tha se të gjitha partitë politike, përfshirë edhe Vetëvendosjen duhet të ulen dhe të gjejnë formulën e përbashkët për zgjidhjen e presidentit.
“Duhet me u gjet formula për presidenti, duhet të gjendet si të arrihet marrëveshja me PDK’në, duhet të ulen të gjitha partitë, edhe Vetëvendosja, përfshirë edhe komunitetet pakicë. Duhet të gjendet zgjidhja për presidentin”, tha Haradinaj në RTK.
Kujtojmë se Haradinaj është deklaruar si kandidati i parë për president të Kosovës, mirëpo ai deri tani nuk ka përkrahjen e asnjë partie politike për ta votuar.
Discussion about this post