Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka bërë prognozën e tij sa i përket zgjedhjes së presidentit të ardhshëm të Kosovës pas përfundimit të mandatit të presidentit aktual Hashim Thaçi, raporton Gazeta Express.
Hasani ka thënë se në konjkturat e tanishme politike, Ramush Haradinaj mund të fitojë pa problem në garën për president të Kosovës.
“Unë besoj se në konjukturat çfarë janë, Ramushi e fiton dhe mundet me fitu pa asnjë problem”, është shprehur ai.
Profesori universitar i së Drejtës Ndërkombëtare Publike është shprehur se nëse jo me të parën, atëherë Haradinaj mund të fitojë me të tretën herë dhe të marrë 61 vota.
“Konjukturat politike nuk krijohen me dhe lidhur me postin e presidentit, krijohen me dhe lidhur me statusin ose gjendjen kundrejt GJykatës Speciale, fazës së implementimit të marrëveshjes së Uashingtonit, dialogu me Serbinë, dhe besoj se edhe kjo i shkon në favor Ramushit. Konjukturat unë besoj se janë të atilla që gjasat më të mëdha janë që Ramush Haradinaj mund të fitojë. Unë besoj se nëse jo me të parët atëherë me të tretën do të zgjidhet pa problem me 61 vota”, ka thënë Hasani.
Discussion about this post