Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka paralajmëruar opozitën që të mos e shfrytëzojë temën e Asociacionit për lojëra të brendshme politike. Rohde u bëri thirrje partive opozitare që ta mbështesin planin franko-gjerman, duke ua kujtuar se partnerët më të ngushtë të Kosovës, qëndrojnë fuqishëm prapa këtij propozimi.
Rohde ka theksuar se Asociacioni i ka mbetur Qeverisë Kurti “trashëgimi” nga qeveritë e kaluara, që janë përbërë nga opozita e sotme.
“E di, të enjten kishte një debat parlamentar, që ka zgjatur deri pas mesnatës. I ndjek deklaratat e tyre dhe ajo që mund të them është se nuk ia vlen, pra është kot të flasë për të kaluarën, e kam fjalën për temën e diskutimit lidhur me Asociacionin e komunave serbe. Ekziston një obligim që është bartur nga qeveritë e kaluara tek kjo qeveri, pra nga qeveri të kaluara, që ishte përbërë nga opozita e sotme. Ajo qeveri e përbërë atëherë nga opozita e sotme, kishte marrë obligime që nuk i kishte zbatuar dhe tani qeveria e sotme duhet të ballafaqohet me atë trashëgimi”, ka deklaruar Rohde.
Ai i kërkoi opozitës që ta mbështesë planin franko-gjerman, derisa ua përmendi përgjegjësinë që kanë.
“Personalisht, nga opozita pres përgjegjësi politike shtetërore dhe me këtë rast dua të potencoj edhe një herë se e gjithë bashkësia ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë partnerët më të ngushtë të Kosovës, qëndrojnë fuqishëm prapa këtij propozimi. Prandaj, dua të shpresoj se opozita do të ketë sjellje konstruktive dhe këtë temë super politike të mos e shfrytëzojë për lojëra të brendshme politike ashtu siç kishte ndodhur në të kaluarën. Tani bëhet fjalë për të siguruar të ardhmen dhe këtu gjithkush ka përgjegjësinë e vetë politike, në mënyrë të veçantë opozita”, ka deklaruar Rohde për Radio Kosovën.
Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur të shqetësuara lidhur me deklaratat e bëra nga opozita për kundërshtimin e propozimit evropian.
Ky reagim i ambasadës i referohet kundërshtimeve që i kanë shfaqur së fundi partitë opozitare, LDK e PDK, ndaj propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë që gojarisht u pranua më 27 shkurt në Bruksel nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq.
“Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së. Këto pikëpamje nuk përputhen me mbështetjen e ShBA-së për propozimin”, thotë zëdhënësi i Ambasadës amerikane.
Në deklaratën e lëshuar për gazetën online Reporteri.net theksohet se ShBA e ka bërë të qartë se mbështet dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, dhe propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë në mënyrë të përsëritur se ne mbështesim Dialogun e lehtësuar nga BE. Në veçanti, ne e mbështesim plotësisht propozimin e BE-së për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përpjekjet tona të përbashkëta për ta çuar përpara këtë propozim kanë përfshirë konsultimet me partitë opozitare të Kosovës”, thotë deklarata.
Nga ambasada është theksuar edhe Biden e Blinken e nënvizuan mbështetjen e fortë për propozimin e BE-së, për të çuar përpara Kosovën drejt stabilitetit rajonal e integrimit evropian e euroatlantik.
“Në nivelet më të larta të qeverisë, ShBA e kanë bërë të qartë këtë mbështetje. Presidenti Biden dhe Sekretari i Shtetit Blinken, në komunikimet e tyre të fundit për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, nënvizuan se propozimi ka mbështetjen tonë të fortë dhe do ta çojë shumë Kosovën drejt stabilitetit më të madh rajonal, prosperitetit ekonomik dhe integrimit evropian dhe euroatlantik”, përfundon deklarata.