Mosmarrëveshjet mes punëdhënësve dhe punëtorëve janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe motivet jo rrallëherë dalin të jenë për shkak të pagave. Konfliktet e tilla verbale përfundojnë edhe në përleshje, për çka të dyshuarit futën në telashe. Kështu dyshohet se ka ndodhur edhe gjatë ditës së djeshme në objektin e qendrës tregtare që pritet të hapet edhe pak ditë, Prishtina Mall, në magjistralen Prishtinë – Ferizaj, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy vëllezër kanë rënë në prangat e Policisë, njëri prej të cilëve pronar i lokalit “Hamleys”, nën dyshimin se kanë sulmuar fizikisht një punëtor 26-vjeçar.
Sinjali mëson se incidenti ka ndodhur paradite, ku intervenoi edhe Policia, me ç’rast viktima u dërgua në Qendrën Klinike Universitare për trajtim mjekësor, kurse dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Bazuar në dëshminë e viktimës, të dhënë para hetuesve policorë, shefi i tij A.H., bashkë me vëllain e tij, Xh.H., e kanë rrahur me grushte dhe çekan, pas një mosmarrëveshje që kanë pasur për pagesën për punët e kryera. Punëtori po pretendon se u sulmua nga shefi pasi ia kërkoi pagën e tij, gjë që i kushtoi me sulm, duke pësuar kështu lëndime trupore.
Përveç tyre, edhe të dyshuarit janë intervistuar për veprën për të cilën dyshohen dhe kanë dhënë versionet e tyre se si ndodhi ngjarja.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e dy vëllezërve të dyshuar dhe inicimin e rastit ndaj tyre për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.