Në vendin tone, shkalla e papunësisë vazhdon të jetë mbi 30 për qind, derisa ajo po rritet dita ditës që nga përhapja e pandemisë globale e cila ka shkaktuar humbje të mëdha edhe në vendin tonë.
Vetëm gjatë këtij viti sipas të dhënave të siguruar nga “Syri.net”, numri i përgjithshëm i punëkërkuesve të regjistruar deri në fund të këtij muaji ka arritur në 190 mijë.
Pra shteti më i ri vazhdon të “rënkon” mjaft rëndë nga papunësia.
Varfëia që ka pushtuar Kosovën po i detyron të rinjtë të braktisin vendin për jetë më të mirë gjithë andej botës.
Nga ana tjetër të rikujtojmë se subjektet politike të koalicionit qeverisës gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve nacionale patën premtuan me qindra e mijra vende të reja pune.
Por koha e tyre e sundimit disa vjeçarë ka treguar se kjo qeveri po dështon me punësimin dhe se premtimet e tyre për rritje punësimi gjatë fushatës mund të thuhet se po dalin të jenë mashtruese e të rrejshme.
Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Punësimit Drin Haraqija, tha për “Syri.net”, se sipas të dhënave nga sistemi informativ menaxhimit të të dhënave nga Agjencia e Punësimit të Republikës se Kosovës, numri i përgjithshëm i punëkërkuesve të regjistruar deri në fund të shtatorit ka arritur në 190 mijë persona.
Ku prej tyre femra janë mbi 85 mijë, ndërsa meshkuj janë 105 mijë .
Ai tregoi për “Syri.net” se vetëm gjate këtij viti janë regjistruar 80 mijë persona, ku prej tyre femra janë 37 mijë, ndërsa meshkuj janë 43 mijë.
“Rritja e madhe e regjistrimit të punëkërkuesve ka ndodhë gjatë periudhës se pandemisë (prej 13.03.2020 deri 31.05.2020) janë regjistruar 67 mijë e 510 persona, ku prej tyre femra janë 31 mijë e 729 persona ndërsa meshkuj 35 mijë e 781 persona.
“Syri.net” nga Banka Qendrore mëson se në vitin 2019, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore në Kosovë ishte 40.5 përqind, që krahasuar me vitin 2018 tregon për një rënie të shkallës së pjesëmarrjes në fuqinë punëtore për 0.4 pikë përqindje.
Shkalla e ulët e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore (mesatarja në rajon rreth 50 përqind) i atribuohet deri në një masë popullsisë relativisht të re (nxënës, studentë), si dhe kategorisë së punonjësve të dekurajuar, amviseve dhe personave të tjerë të cilët nuk janë aktivë në kërkim të një pune.
Bazuar në Anketën e Fuqisë Punëtore shkalla mesatare e punësimit rezultoi të jetë 30.1 përqind, që paraqet një rritje prej 1.3 pikë përqindje krahasuar me vitin 2018. Shkalla e punësimit, rezultoi të jetë më e lartë te meshkujt kundrejt femrave, ku 46.2 përqind e meshkujve në moshë pune ishin të punësuar kundrejt 13.9 përqind të femrave. Sipas rezultateve të anketës, shkalla e punësimit te gjinia femërore ka shënuar rritje prej 1.6 pikë përqindje krahasuar me vitin 2018, ndërsa te gjinia mashkullore është shënuar rritje e shkallës së punësimit për 0.9 pikë përqindje krahasuar me vitin 2018.
Sipas grup-moshave, popullsia e moshës mes 35-44 vjeç ka normën më të lartë të punësimit (39.3 përqind), përderisa grup-mosha 15-24 vjeç ka normën më të ulët të punësimit (13.1 përqind).
Sipas nivelit arsimor, shkalla më e lartë e punësimit rezulton të jetë në mesin e fuqisë punëtore me edukim të lartë, pasuar nga arsimi i mesëm profesional dhe gjimnazi. Punëtorët që kishin të përfunduar arsimin e mesëm profesional ishin kryesisht të punësuar në sektorin privat (kompani private, individuale private), përderisa punëtorët që kishin të përfunduar arsimin terciar ishin të
punësuar kryesisht në sektorin publik.
Diktuar edhe nga struktura e ekonomisë, shkalla e punësimit rezulton të jetë e koncentruar në sektorin e tregtisë me 17.0 përqind të gjithsej të të punësuarve, pasuar nga sektori i ndërtimtarisë me 12.6 përqind, sektori i prodhimit me 11.9 përqind, sektori i arsimit me 10.0 përqind, etj.
Krahasuar me vitin 2018, të dhënat tregojnë se ka rritje të pjesëmarrjes në strukturën e të punësuarve për sektorin e prodhimit, sektorin e ndërtimtarisë, bujqësisë, etj. ndërsa sektori i arsimit ka shënuar rënie.
“Syri.net’ nga Agjencia e Statistikave mëson statistikat e tregut të punës në Kosovë tregojnë se shkalla mesatare e papunësisë në vitin 2019 ishte 25.7 përqind dhe krahasuar me vitin 2018, rezulton më e ulët për 3.9 pikë përqindje.
Në baza gjinore, tregu i punës në Kosovë vazhdon të karakterizohet me një shkallë më të lartë të papunësisë te femrat.
Shkalla e papunësisë te femrat ishte 34.4 përqind (22.6 përqind tek meshkujt), ku grupmosha e femrave të reja (15-24 vjeç) kanë shkallën më të lartë të papunësisë (rreth 60.3 përqind).
Edukimi ka përmirësuar perspektivat në tregun e punës në Kosovë. Sipas ASK-së, shkalla e papunësisë ishte më e larta për personat e pashkolluar (rreth 49.4 përqind), ndërsa më e ulët për personat që kishin të përfunduar arsimin terciar (21.5 përqind).
Discussion about this post