Polonia qortoi të hënën presidentin francez Emmanuel Macron për negociatat me udhëheqësin rus Vladimir Putin, duke thënë se “askush nuk negocioi me Hitlerin”, mes një proteste ndërkombëtare për vrasjet e civilëve gjatë pushtimit rus të Ukrainës, transmeton Gazeta Metro.
Ukraina akuzoi të dielën forcat ruse për kryerjen e një masakrës në Bucha, dhe udhëheqësit perëndimorë reaguan me zemërim ndaj imazheve të trupave të shpërndara nëpër rrugët e qytetit. Rusia mohon akuzat e Ukrainës.
Polonia në shumë raste ka bërë thirrje për sanksione më të ashpra ndaj Rusisë dhe furnizimin e më shumë armëve për Ukrainën. Ajo gjithashtu ka bërë thirrje për një gjykatë ndërkombëtare për të hetuar vrasjet e civilëve në Ukrainë.
“Zoti President Macron, sa herë keni negociuar me Putinin, çfarë keni arritur? Keni ndalur ndonjë nga veprimet që kanë ndodhur? “, këto fjalë i tha kryeministri polak Mateusz Morawiecki në një konferencë për shtyp të hënën.
“Nuk duhet negociuar me kriminelët, duhet luftuar ata…Askush nuk ka negociuar me Hitlerin. A do të negocionit me Hitlerin, Stalinin, Pol Potin?” shtoi ai, raporton Ruters.
Zyra e Macron tha në një përgjigje se është e rëndësishme që presidenti Putin të kuptojë kërkesat e vendeve perëndimore dhe koston për Rusinë për mospërfilljen e tyre.
“Që nga fillimi, presidenti ka përdorur të gjitha mjetet e disponueshme për ta bërë Putinin të ndalojë luftën: sanksione masive, mbështetje për Ukrainën, kërkesa të bëra drejtpërdrejt ndaj Presidentit Putin gjatë thirrjeve të tyre”, tha një zyrtar presidencial francez.
Discussion about this post