Nënkryetari i LDK-së dhe më herët kryetari i Podujevës, sot gjatë ditës ka akuzuar kandidatin e VV-së për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqin se ka uzurpuar pronën ku ky i fundit ka ndërtuar shtëpinë, teksa ka kritikuar edhe VV-në, për të cilën thotë se nuk di se si të qeverisë me vendin.
Mirëpo në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Bulliqi ka hedhur poshtë këto pretendime, teksa ka thënë se kjo është një shpërfaqje e frikës së madhe që po ndihet në radhët e LDK-së, siç thotë ai, nga fitorja e VV-së në Llap.
“Ky reagim i sotëm shpërfaq frikën e madhe që po ndihet në radhët e LDK-së prej fitores tonë që po vjen shume shpejt, me ndryshime e me fundin e regjimit të Agim Veliut në Llap. Agim Veliu duhet më së pari të japë llogari para llapjanëve për infrastrukturën që mungon, nepotizmin në administratë, arsim e subvencione dhe degradimin e shëndetësisë”, tha Bulliqi.
Ai ka akuzuar Velin për uzurpim në institucione publike me nepotizmin e familjarëve të tij, shantazh, arrogancë e mosdije.
Bulliqi thotë se nuk ka hi që e ndalon ndryshimin që do vije pas 29 nëntorit.
“Mirëpo, meqë nuk do të flasë për premtimet e prera para qytetarëve dhe degradimin e Komunës në një çiflig familjar të tijin, merret me akuza kaq të ulëta e të pabaza ndaj meje për t’u hedhur hi syve të qytetarëve. Nuk ka hi që e mbulon zhgënjimin, irritimin dhe kundërshtimin e llapjanëve ndaj qeverisjes që Veliu ka bërë në Podujevë. Nuk ka hi që e ndalon ndryshimin që po vjen pas 7 ditëve. Mirëpo, ky është stili dhe kultura, e vetmja gjë që di e bën Agim Veliu tash sa vite nga një institucion publik në tjetrin. Uzurpon institucione publike me nepotizmin e familjarëve të tij, i shtrydh me shfrytëzime private dhe si për t’i mbuluar bëhet ministër i brendshëm. Shantazhi, arroganca dhe padija janë thelbi i karakterit të Agim Veliut dhe qytetarët kërkojnë tjetër karakter, tjetër dije e shumë ndryshime që janë pamundësuar prej tij”, u shpreh për “Bota sot”, Shpejtim Bulliqi.
Discussion about this post