Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, në një prononcim për “Gazeta Blic” ka theksuar se në Uashington nuk pritet të ketë marrëveshje finale Kosovë-Serbi.
Bulliqi ka thënë se po del ndryshe nga ajo se çfarë u proklamua dhe se në takimin e Uashingtonit do të diskutohet vetëm për tema që lidhen me ekonominë.
Ndërsa sa i përket shkëmbimeve territoriale, Bulliqi, thekson se kjo nuk mund të ndodhë nga një qeveri e cila nuk ka legjitimitet qytetar.
“Në realitet, prej asaj ç’ka po duket, nga ai bumi i madh që do të kemi një marrëveshje finale Kosovë-Serbi, tash sipas të gjitha gjasave po del që nuk do të diskutohet fare ajo çështje, por do të diskutohen temat që do të lidhen me ekonominë. Prandaj unë mendoj krejt kjo do ta favorizojë Serbinë se sa Kosovën në këtë fazë. Vendimi jonë si Lëvizje Vetëvendosje është që vullneti qytetar sa më shpejt t’i kthehet sovranit, të merret vendimi i sovranit dhe të krijohen institucione të reja që kanë legjitimitet qytetar”
“Prej asaj që po duket në sfond po flitet që nuk po duket që do të ketë diskutime të tilla, pra për shkëmbime territoriale, dhe ato njerëz që kanë shku atje në emër të Kosovës, nuk përfaqësojnë qytetarët e Kosovës që të diskutojnë për çështje të shkëmbimeve territoriale apo ndryshimeve të kufije. Kosova i ka patur kufijtë e saj administrativë , ata kufij me shpalljen e Pavarsisë janë shëndërruar në kufij shtetërorë, prandaj askush nuk ka të drejtë që të diskutojë me integritetin territorial të shtetit të Kosovës dhe aq më pak një qeveri e cila nuk e ka legjitimitetin qytetar” tha Bulliqi për Gazeta Blic.
Edhe njohësi i çështjeve politike, Rasim Alija, thekson se takimi i Uashingtonit nuk do të sjellë marrëveshje finale Kosovë-Serbi.
Alija jep disa arsye pse një marrëveshje e tillë nuk pritet të ndodhë në këto momente.
“Nëse flasim për marrëveshje përfundimtare, gjasat janë shumë të vogla për me u arrit një marrëveshje, kjo për shumë elementë. Në radhë të parë është faktori i brendshëm dhe konfiguracioni politik. Pjesa e dytë ka të bëjë me aspektin e jashtëm, në këtë rast cili është disponimi edhe i Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, mirëpo lidhet edhe me faktorë të tjerë siç janë zgjedhjet në SHBA”.
Ai thekson se gjasat që të arrihet marrëveshja finale janë shumë të vogla për shkak të problemeve të brëndshme politike.
“Pala kosovare duket se është shumë e interesuar të pret ndërrimin e administratës në SHBA, që të ketë një pasqyrë të qartë se si t’i qaset dialogut. Në anë tjetër Serbia do që ta mbajë edhe më tutje pezull çështjen e njohjes definitive të Serbisë karshi Kosovës dhe dëshiron që çështjen e dialogut ta shtrijë në rrafshin e dialogut teknik që të arrijë përfitojë sa më shumë të jetë e mundur . Në këtë aspekt gjasat që me u arrit një marrëveshje përfundimtare janë shumë të vogla edhe për faktin që në delegacionin aktual është problemi i brendshëm i forcave politike që nuk ka përcaktim as nga PDK-ja dhe as nga LVV-ja” tha Aliu për Gazeta Blic.
Me datën katër shtator në Uashington me ndërmjetësimin e SHBA-ve, pritet të mbahet takimi Kosovë-Serbi.
Delegacioni kosovar ka udhëtuar për në “Shtëpinë e Bardhë” dhe përbëhet nga kryeministri Avdullah Hoti, koordinatori për dialog, Skënder Hyseni, zv.kryeministri Driton Selmanaj, zv.kryeministrja Albulena Balaj-Halimaj, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Arban Abrashi, dhe shefja e stafit të kryeministrit, Ardita Dushi, Këshilltari politik i kryeministrit Hoti, Xhavit Beqiri.
Nga atje kryeministri Hoti ka deklaruar se në bisedimet me Serbinë do të flitet vetëm për dialog me njohje reciproke dhe se nuk do të ketë kompromise.
Discussion about this post