Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian presin që më së largu sot (e mërkurë) të arrihet një marrëveshje për qetësim të situatës në veri. Kjo nënkupton se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet të pajtohet me tri pikat/kushtet që dy emisarët, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak ia kumtuan atij, në takimin e së hënës.
Kërkesat e komunitetit ndërkombëtar janë tri. E para, de-eskalimi i tensioneve në veri të Kosovës; e dyta, organizimi i zgjedhjeve të reja me pjesëmarrjen e komunitetit serb, dhe, e treta, të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe si një hap drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Në një intervistë me gazetarë të martën, një ditë pas takimit me shefin e ekzekutivit, emisari Gabriel Escobar tha se Kurti ka afat dy ditë për t’u përgjigjur kërkesave të tyre, çka nënkupton se tik-taket po shpeshtohen për afatin kohor që përfundon nesër, të mërkurën në mbrëmje, rreth orës 21:00.
Pas kësaj, Escobar bëri të ditur se të premtën, ai do të raportojë në SHBA, e emisari Lajçak në BE, lidhur me progresin ose jo drejt dakordimit.
“E para është deeskalimi, e dyta është duam të shohim zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbëve dhe e treta duhet menjëherë të lëvizim drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit që nënkupton se duhet të shohim përpjekje reale nga Kosova që të angazhohet për Asociacionin dhe po ashtu duhet të shohim hapa nga Serbia”.
“Duhet të merremi vesh për këtë sot dhe nesër sepse të premten unë dhe Lajcak duhet t’u raportojmë eprorëve tanë se a ishim të suksesshëm apo jo”, deklaroi Escobar në takim me gazetarë.
Teksa ka folur për pasojat, Escobar ka thënë se ato nuk janë të drejtuara ndaj popullit të Kosovës, pasi, siç ka thënë, Amerika ka marrëdhënieve të shkëlqyera me kosovarët. Për më tepër, ai ka shtuar se çfarëdo që qeveria e shtetit të tij ka me kryeministrin Albin Kurti, nuk do ta afektojë popullin.
I njëjti ka thënë se ka politikanë që duan ta mbajnë gjallë konfliktin e Kosovës me aleatët e saj, sepse kjo sipas tij, i mban në pushtet dhe i bënë të pasur. Escobar ka shtuar se SHBA-ja dhe BE-ja nuk do të rrinë duke pritur përgjithmonë asnjë individ që nuk bashkëpunon dhe se Uashingtoni gjithmonë do të jetë me popullin e Kosovës.
I dërguari amerikan për dialogun ka deklaruar se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të prezantohet menjëherë nga qeveria. ShBA-ja dhe BE-ja presin që kjo të ndodh shpejt, veçse, sikur ka potencuar Escobar, mbetet të shihet me kë.
Ai ka thënë që nëse palët (Kosova dhe Serbia) nuk i përmbahen Marrëveshjes së Brukselit, i bie se po e refuzojnë BE-në. Po ashtu, amerikani ka shtuar se Aleksandar Vuçiq nuk mund të ketë të drejtë vetoje se kur mbahen zgjedhjet për katër komunat në veri të Kosovës ndërsa ka shtuar se kjo dritare i mbyllet nëse Kosova bashkëpunon duke e themeluar Asociacionin.