Kryeministri i Kosovës është deklaruar lidhur me sulmin e mbrëmshëm ndaj gazetarit Valon Syla.
Ai në fillim të mbledhjes së qeverisë ka thënë se sulmi ndaj Sylës është i papranueshëm dhe i patolerueshëm, shkruan Paparaci.com.
Kurti ka thënë se mospajtimet në bindje e qëndrime s’mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike, andaj në shoqëri demokratike frika nga fjala e lirë s’duhet të peshojë më shumë se liria e fjalës.
Kurti i ka uruar Sylës shërim të shpejtë dhe ka kërkuar që përgjegjësit për sulmin të vihen sa më parë para drejtësisë.
“Më lejoni fillimisht të them se sulmi i mbrëmshëm ndaj gazetarit dhe opinionistit Valon Syla është i papranueshëm dhe i patolerueshëm. Mospajtimet me bindje dhe qëndrime, nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike. Në një shoqëri demokratike të cilën e prezantojmë dhe promovojmë me krenari nuk duhet të lejojmë asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë sesa liria e fjalës. Z. Syla i urojmë shërim dhe rikuperim të shpejtë ndërsa nga institucionet e rendit presim që rasti të trajtohet me seriozitetin e duhur ashtu që autorët sa më parë të vihen para drejtësisë.”, tha Kurti.