Duket se kosovarët nuk po ia kanë frikën aq shumë Pandemisë për të bërë biznes.
Në bazë të të dhënave zyrtare, sivjet janë regjistruar rreth tetë mijë biznese të reja, kurse janë mbyllur vetëm katër sosh.
Pikërisht nga ndërmarrjet aktive, por edhe me metodat e tjera të mbledhjes së tatimit, Administrata Tatimore e Kosovës në periudhën janar-gusht ka inkasuar 399.3 milionë euro.
Kjo i bie 97 milionë euro më shumë se vitin e kaluar, e 64 milionë më tepër se më 2019.
Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, konsideron se kjo performancë është e kënaqshme.
“ATK ka arritur që të rrisë të hyrat tatimore më shumë sesa rritja ekonomike apo rritja e qarkullimit gjatë kësaj periudhe”, thotë ai, njofton Klan Kosova.
Megjithatë, sfidë për ATK-në mbetet veriu i vendit, meqë atje vazhdojnë të operojnë biznese që nuk i paguajnë tatim shtetit të Kosovës.
“Nuk mund të themi 100% që është monitorimi i plotë, mirëpo si institucion bëjmë përpjekje të identifikojmë përpjekjet për evazion fiskal edhe në atë pjesë të vendit”, vlerëson ai.
Sipas Murtezajt, një nga synimet kryesore të institucionit që e drejton është luftimi i ekonomisë joformale në gjithë vendin.
Discussion about this post