Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka quajtur marrëveshjen e nënshkruar me Serbinë në SHBA si shumë të suksesshme, teksa tha se kjo erdhi pas akuzave e konspiracioneve që më vonë dolën të rrejshme, shkruan Gazeta Metro.
Këto deklarata presidenti i ka bërë përmes një konference për media, teksa ka aluduar në qëndrimet e Albin Kurtit e VV’së, të cilët thonin se në SHBA po shkohet për shkëmbim të territoreve.
“Gjatë kësaj kohe hasëm në akuza e konspiracione të shumëta nga shumë anë, në takimin e SHBA’së këto dolën të rrejshme, mashtruese dhe paragjykuese. Prandaj zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të reja të punës, projektet infrastrukturore, linjat hekurudhore, ajrore, autostradat, kanë qenë gjithmonë prioritet i Kosovës.”, ka thënë Presidenti Thaçi.
Ndër të tjera, ai ka shtuar se me projektet e financuara nga SHBA, do të përfundohen shumë punë në Kosovë.
“Shpreh konsideratën më të lartë për presidentin Trump që e konkreitozoi përpjekjet për të ecur përpara në dialogun që pritet të mbyllet me njohje reciproke.”, tha ai mes tjerash, përcjell Gazeta Metro.
Në fund, presidenti ka thënënë se ata që përmendnin thika e harta, duhet të kërkojnë falje.
Ndryshe, Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësimin e presidentit amerikan Donald Trump më 4 shtator kanë nënshkruar një marrëveshje ekonomike e cila u tha se do t’i përmirësojë marrëdhëniet mes dy shteteve.
Trump i ka siguruar Kosovës njohjen nga Izraeli, e cila njëherit është edhe pika e fundit e marrëveshjes së nënshkruar më 4 shtator./gazetametro.net
Discussion about this post