Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi thotë se nëse merren parasysh ngjarjet që kanë ndodhur së fundmi në Kosovë, përfshirë rikthimin e nxënësve në shkolla, pastaj fushatat e partive politike dhe tubimet në masë, në javët në vazhdim mund të pritet rritje e rasteve me COVID-19.
“Ne po i përcjellim me vëmendje situatën epidemiologjike në nivel vendi dhe jo vetëm në vend, por edhe në shtetet përreth dhe më gjerë. Jemi dëshmitarë që në shumicën e shteteve janë duke përjetuar një valë të re të rasteve me numër të madh të të infektuarve. Nëse marrim parasysh ngjarjet të cilat kanë ndodhur në vendin tonë, përfshirë edhe rikthimin e nxënësve në shkolla, më pastaj fushata e partive politike, tubimet në masë, ne mund të presim që mund të kemi më shumë raste të reja në javët në vazhdim. Sidoqoftë, ne do ta përcjellim me vëmendje këtë situatë dhe karshi çdo ngjarje të reagojmë me kohë”, ka thënë Krasniqi për REL.
Ai ka folur për variantin e ri britanik si dhe për përgatitjet që kanë bërë për vaksinim.
“Varianti i ri është një virus që është krijuar si rezultat i ndryshimeve mutative, pra mutacioneve që pësojnë viruset. Këto viruse janë të njohur për këto ndryshime dhe nuk është e re diçka për shkencën mjekësore. Deri më tani, kemi tri raste të konfirmuara nga 30 mostra që janë dërguar në Gjermani, tri kanë ardhur me këtë varianti të ri. Është e vështirë të thuhet për numrin e mundshëm të rasteve me këtë varianti të ri, pasi Kosova dhe shumica e shteteve përreth, nuk kanë mundësi të bëjnë sekuencat gjenetike, pra të tipizojnë virusin. Por, ajo që është me rëndësi është se për të njëjtin virus, masat parandaluese janë të njëjta dhe trajtimi është i njëjtë”, ka deklaruar Krasniqi.
Discussion about this post