Analisti Vehbi Kajtazi vlerëson se pika 7 e planit evropian për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është më e keqe se ajo e arritur në vitin 2015.
“Atëherë ka pasur garanci që nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Nuk është problem menaxhimi i shëndetësisë apo arsimit. Më i madh është planifikimi hapësinor dhe siguria”, është shprehur Kajtazi në Rubikon.
Ai ka shtuar se kur është fjala për asociacionin, nuk bëhet fjalë për një Organizatë Jo-Qeveritare.
“Pika 7 nuk flet për OJQ, por për një gjysmështet brenda shtetit të Kosovës”.
Pika 7 e planit thotë: “Të dyja palët përkushtohen për arritjen e aranzhimeve specifike, në përputhje me instrumentet relevante të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë për provizione të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë edhe mundësinë e asistencës financiare nga Serbia dhe kanale të komunikimit direkt të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës.
Palët do të formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe të ofrojnë nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.